Partia Demokratike do të mbledhë sot Kuvendin Kombëtar, ku priten të miratohen ndryshime statutore dhe të votëbesohet Këshilli i ri Kombëtar. Pritet që në Kuvend të jenë 5500 delegatë, ndërkohë që ndryshimet synojnë modernizimin e partisë dhe se PD do ta vendosë thelbin tek anëtarët e saj për të bërë të mundur një konceptim të ri të bazës së partisë. Kuvendi mblidhet paraditen e sotme në orën 10:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha përveç prekjes së statutit të PD-së, në vijimësi pritet t’i hapë rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë. Mësohet se në çelje të Kuvendit fillimisht do të mbajnë fjalime disa të rinj. Pas disa fjalimeve do të mbajë fjalën e tij për gati 1 orë kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Pas fjalës së Bashës, do të prezantohen ndryshimet statutore dhe fillimisht do të jetë Komisioni i Ndryshimeve Statutore që do sqarojë ndryshimet e bëra ndërsa në vijim do të votohet me ngritje kartoni për këto ndryshime nga delegatët. Po sot do të votohet edhe Këshilli i ri Kombëtar dhe teksa do të mbahen fjalime të hapura, njëkohësisht edhe do të votohet.
Kuvendi i të shtunës, nuk do të thërrasë 7646 delegatët që ky organ i PD kishte përpara ndarjes së demokratëve. Listat, sikurse ndodhi me Këshillin Kombëtar do të pastrohen nga berishistët dhe me rifreskimet e bëra në Kuvend do të marrin pjesë rreth 5000 delegatë nga rreth 7000 që kanë qenë.