Policia ka arrestuar sot një person, pas kontrollit të një kamioni mallrash të drejtuar nga shtetasi shqiptar M.T., hetimi i të cilit është iniciuar nga Prokuroria Speciale.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se janë gjetur rreth 815,000 euro, ndërsa më herët, Drejtoria Doganore kishte zbuluar 135,000 euro në pikën kufitare të Bozhajt, tek i njëjti shtetas shqiptar.

“Paratë ishin të fshehura në ngarkesë dhe, për shkak të dyshimeve të bazuara se ato janë me origjinë nga veprimtari kriminale dhe se me transferimin e tyre është fshehur origjina e këtyre fondeve, duke kryer kështu veprën penale të pastrimit të parave, në shumën totale prej rreth 950,000 euro, i dyshuari është privuar nga liria. Ai është sjellë para Prokurorit Special, i cili, pas seancës, ka caktuar masën e ndalimit deri në 72 orë nga momenti i arrestimit”.