Në formën e paraqitur, debati shtrohet nëse kemi të bëjmë me një skemë sigurimi apo në fakt me një Partneritet Publik Privat (PPP) apo taksë të radhës. Pyetjes nëse kemi të bëjmë me një skemë efikase sigurimi mund t’i përgjigjemi lehtësisht – Jo! Jo vetëm kaq, por skema e prezantuar nuk ngjason me një skemë sigurimi të mirëfilltë Publikimi së fundmi i një projektligji, i cili ka mbi një dekadë që diskutohet dhe synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga ngjarjet e tërmetit, pritet të ngjallë debat.
Ky projektligj sipas relacionit të Ministrisë së Financave, shpallet si fryt i bashkëpunimit të disa institucioneve, si Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Banka Botërore (BB) dhe cilësohet të jetë bazuar mbi modelet e Turqisë, Rumanisë dhe Filipineve.
Detyrimi për sigurim duket sikur nuk është vendosur vetëm për banesat (si dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme), por edhe për subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre: pra në thelb çdo godinë që nuk është biznes i mirëfilltë.
Qytetarët, të cilët nuk do paguajnë, rrezikojnë që t’u ndërpriten shërbimet, si E-albania, Qendra Kombëtare e Biznesit apo dhe shërbimet kadastrale. Projektligji nuk përcakton sa është niveli i mbulimit që do ofrohet apo primi i sigurimit, që duhet paguar, por parashikon që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të hartojë kushtet e përgjithshme të policës së sigurimit, nëpërmjet hartimit të rregullores përkatëse, dhe njëkohësisht të japë mendim për nivelin e primit, i cili miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.