Tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun një javë më parë ka rezultuar fatal për 32 nxënës të një klase.
Mësuesja e tyre Nesreen Abu ElFadel ishte në Marrakesh, por Adaseel, fshati malor që ishte shkolla e nxënësve të saj, ishte më afër epiqendrës.
Mësuesja e gjuhës arabe dhe frënge u kthye në Adaseel ku shkoi të kërkonte fëmijët dhe zbuloi se të 32 ata, nga 6 deri në 12 vjeç, kishin ndërruar jetë.
“Shkova në fshat dhe fillova të pyesja për fëmijët e mi. Përgjigja erdhi disa orë më vonë: ‘Ata kanë vdekur të gjithë’. Imagjinova sikur po mbaja fletën e frekuentimit të klasës sime dhe t’i vendosja një rresht, derisa të kisha gërvishtur 32 emra; ata tani kanë vdekur të gjithë,” tha ajo për BBC.
ElFadel kujton se si kishte dëgjuar për atë që i ndodhi 6-vjeçares Hatixhe ku ekipet e shpëtimit gjetën trupin e fëmijës të shtrirë pranë vëllait të saj Mohamed dhe dy motrave të saj, Mena dhe Hanan. Ata kishin qenë të gjithë në shtratin e tyre, ndoshta në gjumë.
“Unë nuk fle, jam ende në shok. Njerëzit më konsiderojnë si një nga ata me fat, por nuk e di se si mund të vazhdoj të jetoj jetën time,” tha mësuesja.
ElFadel pëlqente t’u mësonte arabisht dhe frëngjisht fëmijëve në një fshat të populluar nga Amazigh të cilët kryesisht flasin gjuhën e tyre, Tamazight.
“Arabishtja dhe frëngjishtja ishin shumë të vështira për t’u mësuar, por fëmijët ishin shumë të zgjuar dhe pothuajse i flisnin rrjedhshëm të dyja gjuhët,” kujton ajo.
“Ndoshta një ditë kur ata të rindërtojnë shkollën dhe klasat të kthehen në funksion, ne mund t’i përkujtojmë ata 32 fëmijë dhe të tregojmë historinë e tyre,” tha zonja ElFadel.