Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka përfunduar pas plot 9 orësh seancën e pyetje-përgjigjeve me prokurorët e SPAK, lidhur me koncesionin e sterilizimit dhe një sërë çështjesh të tjera për të cilat është nën hetim.

Në përfundim, Beqaj tha për gazetarët se SPAK duhet të zgjerojë hetimet lidhur me koncesionin e sterilizimit për të zbuluar se përse prej dy vitesh nuk ishte vënë në punë pajisja e sterilizimit.

Beqaj tha se shumë shpejt do të marrë kompjuterat dhe celularin që i janë sekuestruar nga SPAK,, ndërsa shtoi se seanca me pyetje do të vijojë sërish një ditë tjetër.

“Janë disa seanca të gjata pyetjesh, që do të thotë se çështja është komplekse, është e gjerë. Sot nuk mbaruam seancën e pyetjeve, do të vijojmë sërish. Hetimet janë shumë të ngushta, është e domosdoshme që të shtrihen në dy pjesë, të hetohet pse u mbajt dhe nuk u vu asnjëherë në punë pajisja për sterilizimin për dy vjet. Por edhe përfitimet e qytetarëe nga koncesioin.

Sot u sqarua edhe fakti që gazi dhe aneksi 8 kanë lidhje me sterilizimin dhe me asnjë çështje tjetër”, tha Beqaj.