Është arrestuar në Kosovë, biznesmeni 49-vjeçar shkodran Ardit Kraja, (bashkëshorti i moderatores së njohur, Ilda Bejleri) i njohur si një prej “bosëve” të lojërave të fatit në Shqipëri, ku ka qenë pronar i kompanisë “Superbast”.
Ai është ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë dhe pas verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishin kishte dy urdhër-arreste të lëshuara nga dy gjykata në Kosovë.
Më konkretisht nga Gjykata Themelore në Prizren dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Ndaj biznesmenit Kraja, Gjykata e Mitrovicës vendosi urdhër-arrestin për 48 orë deri në momentin kur të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Hetimi që po kryhet kundër Ardit Krajës ka mësuar se ai ka një rast të ngritur në Suharekë, ku dyshohet se kreu veprimtari ilegale “organizim i jashtëligjshëm i bixhozit”, që bie në përgjegjësi të Gjykatës së Prizrenit, dhe një rast në Mitrovicë që bie nën përgjegjësinë respektive të Gjykatës Themelore në këtë qytet.
Për të dyja rastet ka pasur urdhër kundër Krajës nga të dyja gjykatat, shkruan Insajderi. Këto burime i kanë thënë medias kosovare se Ardit Kraja, tek shtetasit e Kosovës, por jo vetë, e jepte programin online, duke përfshirë linkun dhe kodet e operimit, dhe madje edhe investonte në bizneset e tyre.
Ardit Kraja, punëtorët e këtij krimin në Kosovë do t’i merrte në përgjegjësi në rast humbjeve- pra nëse një lojtar fitonte, humbjen e merrte përsipër Kraja, ndërsa në rast se lojtarët humbisni, 60 përqind të fitimit e merrte Kraja.
Sipas këtyre burimeve, ky ka qenë njëri prej ofruesve të këtij shërbimi për bixhoz në Kosovë, i cili prej disa vitesh është kompelt i paligjshëm në vend, ndërsa nuk ka qenë i vetmi, pasi ka edhe ofrues të tjerë të programit, linkut e kodeve për lojtarët e bixhozit në Kosovë që e bëjnë këtë veprimtari online.
Media kosovare raporton edhe mbi historitë e biznesmenit, Ardit Kraja, në Shqipëri, mbi kompanitë e tij dhe përplasjet me Ervis Martinajn në lidhje me “luftën” për lojërat e fatit në Shqipëri.
Gjithashtu, Ardit Kraja është përfolur në media edhe mbi historinë rozë me moderatoren Ilda Bejleri, ku tashmë janë çift dhe prej më shumë se një viti janë bërë prindlr të një vajze, të cilës i kanë vendosur emrin Siena.
Përplasja me Ervis Martinajn
Biznesmeni Kraja u kërcënua nga Ervis Martinaj, dhe pretendohet se u detyrua të fshihej për rreth një muaj nga frika për një kanosje të mundshme, që i solli humbjen e pothuajse të gjitha pikave të basteve në qytetin verior, Shkodrën.
36-vjeçari kur u zhduk, dhe u raportua madje edhe i vrarë, Ervis Martinaj ishte njëri nga emrat e njohur të botës së krimit në Tiranë, dhe jo vetëm.
Emri i tij është lakuar shpesh pas vitit 2013, ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim.
Kanosja është bërë pas aksionit “Fundi i Marrëzisë”, ku Ervis Martinajt iu sekuestruan 400 makineri lojërash fati, të cilat sapo i kishte blerë dhe disa automjete luksoze. Në atë kohë, mediat shkruanin se Martinaj i kishte blerë makineritë nga konkurrenti i tij, Ervis Doçi.
Doçi përflitej si njeri i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dyshohet se ishte vënë në dijeni para nisjes së operacionit “Fundi i Marrëzisë”, duke i shitur makineritë e lojërave të fatit tek Ervis Martinaj.
Derisa Ervis Martinaj po ndiqej nga organet e rendit, rivali i tij tjetër, Ardit Kraja, tash në pranga të Policisë kosovare, sipas asaj që raportohej si fshehja dhe beja për “dorëzimin” e Shkodrës, me mbylljen e pazareve, u kthye serish në tregun e lojërave të fatit dhe basteve sportive, por qeveria me një projektligj i mbylli ato në janar të vitit 2019.
Prej asaj kohe të gjithë ata që posedonin pika bastesh, ca prej tyre në lidhje me grupe kriminale, hapën llogari online në të zezë për të vazhduar aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm, raportojnë mediat shqiptare.
Ata, sipas raportimeve, kishin gjetur metoda për të vjedhur përdoruesit e këtyre lojërave dhe duke shumëfishuar fitimet kësaj here, pasi nuk paguajnë asnjë taksë dhe nuk deklarojnë asnjë të ardhur për burimet financiare.
Si u pasuruan “punëtorët” e Ardit Krajës në Kosovë?
Policia e Kosovës kishte marrë një informacion se një grup njerëzish për javë të tëra po takoheshin bashkë në një zyrë në Prishtinë, në fillim hetuesit nuk e kishin të qartë se për çka po takohej grupi, por nisi një hetim paraprak.
Mëngjesin e 24 marsit të vitit 2021 ata morën lejen, dhënë vetëm gojarisht, nga një gjykatës i procedurës paraprake që të hynin në këtë pronë.
Hetimi pastaj do të zbulonte që qëllimi i takimeve të tyre ishte koordinimi i bixhozit ilegal që kishte filluar të lulëzonte fill pasi që në Republikën e Kosovës u bë çdo formë bixhozi e ndaluar.
Atë ditë, pranga do t’iu viheshin Skerdi Feros, Sokol Stafajt, Alban Petit, Lulzim Paqaradës, Fidan Hoxhës, Gasper Kaçinarit, Jozef Gjinit, Fisnik Sadrijat, Flakron Kurteshit e Rrezarta Miftarajt.
Dosja e Prokurorisë zbulon se grupi për një periudhë relativisht të shkurtër më pak se tremujore, nga janari e deri te gjysma e marsit 2021 kishin qarkulluar aq shumë para me bixhoz ilegal sa shifrat janë milionëshe.
“…vetëm për janar, shkurt dhe 15 ditë të muajit mars të vitit 2021, humbja e shkaktuar shoqërisë kosovare nga kjo vepër penale kapin shumen prej 5,668,584.08 €, ndërsa fitimi i organizatoreve ka qenë 947,724.65 €”, kështu e përshkruan Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rogova këtë grup.
Grupi, sipas Prokurorisë kishte role e detyra të ndara goxha kjartë në hierarki. Dikush në regjione brenda Republikës së Kosovës, e dikush koordinim me Republikën e Shqipërisë.
I pandehuri Sokol Stafa, sipas Prokurorisë ka punuar si koordinator i lojërave të fatit Kosove – Shqiperi. Gaspër Kaçinari si drejtor në këtë grup. Rezarta Miftaraj si arkëtare.
I pandehuri Skerdi Fero si menaxher kryesor, ndërsa të pandehurit Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Fisnik Sadija, Jozef Gjini, Flakron Kurteshi, Dardan Arifi, Boban Stevanoviç e Taulant Palushi kishin rolet e menaxherëve regjional brenda organizatës që po merrje me bixhoz ilegal.
Edhe pse pas hetimeve Prokuroria nuk e ndjek më pistën e hetimit “krim i organizuar”, në aktakuzë konstaton se të akuzuarit në këtë rast dikur kanë punuar për bastoret e biznesmenit nga Shqipëria, Ardit Kraja, dhe pas muajit prill 2019 kur në Kosovë bixhozi “thjeshtë kanë vazhduar me aktivitetet e njëjta”, konstaton Prokuroria.
“Me rastin e kontrollit në lokalet e bastores, në Prishtinë, rruga “Venet Bajrami” me dt. 24.03.2021 janë sekuestruar shume pajisje elektronike, telefonat, kompjuterët, si dhe incizimet e kamerave të sigurisë në atë banesë e cila është përdorur si zyrë për këtë grup kriminal”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria thotë se i lidh të akuzuarit me vet incizimet e tyre në banesën që po e përdoronin si zyrë të bastores ilegale.
Në rastin konkret, të pandehurit e kanë kryer formën kualifikuese të veprës penale për të cilën akuzohem, pra bixhozin ilegal, thuhet në aktakuzë dhe bëhet edhe një herë me dije se sipas llogaritjeve të këtij inistitucioni “në më pak se 3 muaj, shoqërisë kosovare i është shkaktuar demi shumë më i madh se 25.000 €, me saktësisht shuma prej 5,668,584.08 €, ndërsa fitimi i organizatoreve ka qenë 947,724.65 €”.