Skandaloz dhe hakmarrje, e cilësoi avokati Maks Haxhia vendimin e dënimit të Saimir Tahirit me 3.4 vite burg. Ky vendim, tha avokati ishte për të kënaqur disa persona që nuk i përmendi dhe për të njollosur emrin dhe figurën e Tahirit. Ai tha se Tahiri e priti me qetësi vendimin, pasi ky ishte një nga opsionet.
“Ishte një vendim skandaloz. Në këtë vend dy gjëra dihen të sigurta, lindja dhe vdekja. Nëse dënimi do të kënaqë të gjithë pritshmërinë që kishte opinioni le të quhet i përmbushur.
Kjo gjykatë bëri atë që nuk mund të bëhet. Se në thelb la në fuqi po të njëjtin vendim duke hequr nenin 59-të, që nuk ka të bëjë me dënimin, por vuajtjen e formës së dënimit, që është një hakmarrje e pashpjegueshme.
Shpërdorimi i detyrës nuk është në juridiksionin e kësaj gjykate. Ishte e papritur, u çuditëm. Pezullimi ka të tjera kritere edhe kur jepet edhe kur hiqet. Në prisnim pafajësi totale. Diskutuam mundësinë” tha ai.
Avokati tha se Tahirit i kërkuan që të mos vinte sot në sallën e gjyqit për të shmangur prangat.
“Sot Tahiri sikur e patë, i kishte mundësitë edhe mos vinte, pati edhe njerëz që i thonin ik, mos u paraqit, ai e tregoi se është në dispozicion të drejtësisë.
Do të shkojë në drejtorinë e policisë dhe prej aty… për rekursin presim vendimin e arsyetuar. Jam i sigurtë që zbardhja do të vonohet. Ky ishte një vendim për të njollosur Tahirin” tha ai.
Në momentin që doli nga salla, avokati i kërkoi një të afërmi të ish-ministrit të blinte dy paketa cigare. “Unë s’e pi cigaren. Për Saimirin i kërkova” tha ai.
Por cila ishte porosia e Tahirit për avokatin? “Porosia e ishte që të më qetësonte mua, se isha tepër i tronditur” tha Haxhia.