Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, në sulmin që i bëri bashkëshortes bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e akuzoi ndër të tjera se nga e saj ka pasur përpjekje për të sabotuar kuorumin e Komitetit.
Ai u shpreh se “një shoqe që e bëri ministre”, jo vetëm që nuk erdhi, por as nuk iu përgjigj mesazhit të tij, pasi sipas Metës, i është thënë nga Kryemadhi që të mos shkonte.
Por kush është ish-ministrja që akuzoi Meta si mikeshë të Kryemadhit dhe që i bojkotoi mbledhjen.
Kryetari i PL-së e kishte fjalën me kode ndaj Klajda Gjoshës, e cila dy kabinete qeveritare që Meta ka marrë pjesë, në 2009 me Sali Berishën dhe në 2013 me Edi Ramën, ka qenë ministre dhe njihet si njeri i afërt i Monika Kryemadhit.
“Nepotizmi është ai që nuk na bëri të mundur një shoqen tonë që e bëmë dikur ministre për ta promovuar për vlerat e reja dhe edukimin e saj sipas konceptit tim, që të ishte prezentë në mbledhjen e kaluar të Komitetit. Ajo ka qenë e rregullt në çdo mbledhje dhe kurrë nuk i kisha kërkuar të vinte.
Për herë të parë Ilir Meta që e bëri ministre e mori në telefon dhe i tha ‘faleminderit shumë që ke qenë e pranishme në mbledhjet e Komitetit Drejtues dhe kam një lutje që dhe nesër të jesh prezente, nuk dua angazhim të flisni por vetëm të jeni prezente’. Sepse kishte një përpjekje për të sabotuar kuorumin e mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar.
Nepotizmi e bëri atë që kur të më dalë mua përpara, po më doli, dhe unë do përpiqem ta qetësoj, të skuqet. Sepse i kanë thënë ‘si do shkosh ti atje, ty s’të bëri Ilir Meta, ty të bëra unë, shoqja e Agim Neshos. Të bëmë ne’, prandaj nuk erdhi. A mundet një njeri që si kishte vajtur mendja kurrë që të bëhej ministre, jo vetëm që nuk tha se nuk vinte po as nuk ktheu përgjigje dhe të shpikte një gënjeshtër të bardhë që ‘jam pa qef’?!”, tha Meta.