Prokuroria e Elbasanit ka arritur në përfundimin se trupi i pajetë që gjendet në morgun e Elbasanit, i përket shtetasit Arben Lleshi, që u vra në burgun e Peqinit, në Dhjetor të vitit të kaluar. Ishin familjarët e Lleshit, ata që kishin pretenduar se trupi që iu kishin dhënë në morg nuk i përkiste të afërmit të tyre. Por sipas prokurorisë, në sajë të analizës së shenjave të gishtave, trupi i përkiste Lleshit, që u vra nga Sokol Mjacaj, në 15 Dhjetor të vitit të kaluar. Rezultatet i janë bërë me dije edhe familjarëve të Arben Lleshit.
Motrat e Arben Lleshit nuk pranuan që të tërhiqnin trupin, për shkak se i druheshin vijimit mes dy fiseve në Burrel.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.