Një 18-vjeçare ka rrëfyer eksperiencën e saj ku tregoi se si mbijetoi gjatë udhëtimit me gomone më destinacion Anglinë. Në një intervistë për “Sky News“, Heivin konfirmoi versionin se gomonia u sulmua nga një grup rival emigrantësh, të armatosur me shkopinj dhe thika, teksa po përgatiteshin të niseshin.
“Njerëzit po luftonin, po shkeleshin me këmbë, po hidheshin jashtë gomones, rashë edhe unë, por dikush më nxorri nga uji,“- tha ajo.
Dy pasagjerë të tjerë që ranë në ujë, mes tyre edhe një vajzë e re, janë mbytur, ndërsa tre persona të tjerë vdiqën në varkë. Heivin bën përgjegjës grupin rival, që siç shprehet ajo i rrëmbyen duke shkaktuar tragjedi.
“Nëse ata nuk do të kishin ardhur dhe nuk do të fillonin të luftonin, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur,”- ka treguar ajo.
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në ujërat pranë qytetit bregdetar francez të ëimereux. Gomonia, e cila u nis me 112 persona në bord, u ndal në një rrip rëre vetëm disa qindra metra larg bregut.
“Falënderoj Zotin që nuk isha në pjesën e sipërme të gomones. Do të isha mbytur. Falënderoj Zotin për këtë çdo ditë.”
Heivin ka kaluar shtatë muaj duke udhëtuar nëpër Evropë që kur u largua nga Iraku. Ajo tha se donte të shkonte në Britani e Madhe sepse ishte një vend i mirë për të, si sa i përket gjuhës, por ende në mënyra të tjera. E reja, edhe pse vetëm 18 vjeç, tregoi se ka bërë 30 përpjekje për të kaluar Kanalin, por ka dështuar çdo herë.
Herë ka qenë policia franceze që ka shkatërruar gomonet ndërsa herë të tjera skafi me të cilin ajo udhëtonte është prishur.