Shkolla 9-vjeçare ‘Ndre Mjeda’ ku mësonin dy vajzat e familjes Arrazi është pushtuar nga dhimbja. Dy motrat 8 dhe 9 vjeçe humbën jetën bashkë me nënën dhe vëllain e vogël në ujërat e lumit Buna. Mungesa e Ergesës dhe Gresës në klasën e dytë ka lënë një dhimbje të madhe.
Shokët e shoqet e klasës bashkë me prindërit e tyre u shfaqën të pikëlluar e me lot në sy. Librat e dy motrave 9 dhe 8 vjeç u zëvendësuan në bankat e shkollës me lulet e bashkëmoshatarëve të tyre.
Samra Mishaj është një prej prindërve e cila ka vajzën në të njëjtën klasë ku mësonin dy viktimat e mitura dhe që njihte edhe Alma Arrazin. Mishaj ashtu si prindërit e tjerë tregojnë se e kishin tejet të vështira t’ua shpjegojnë fëmijëve të tyre mungesën e Ergesës dhe Gresës.
Ajo tha se e njihte Almën dhe nuk kishte kuptuar që kjo e fundit të kishte ndonjë shqetësim. Disa prindër të tjerë e kishin të pamundur për shkak të ngjarjes të rëndë të flasin për humbjen tragjike të jetës të tre fëmijëve dhe Alma Arrazit.
Një grup mësuesish bashkë me psikologët dhe drejtoren e shkollës 9 vjeçare “Ndre Mjeda” në Shkodër dhe ndihmën e prindërve po mundohen që të gjejnë formën e duhur për të folur me nxënësit e klasës së dytë ku bënin mësim edhe dy vajzat Ergesa dhe Gresa Arrazi, 9 dhe 8 vjeç.
Kujtojmë se në lumin Buna vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të nënës, Alma Arrazi dhe djalit të saj 3-vjeçar. Sakaq, Erdgys Arrazi ndodhet pas hekurave nën akuzën e shtyrjes drejt vetëvrasjes së familjes së tij.
Dy vajzat e familjes Arrazi vijonin shkollën në klasën e dytë të shkollës “Ndre Mjeda” dhe mësueset e tyre i kujtojnë me dhimbje të madhe për të cilat thonë se ishin nxënëse shembullore dhe rrezatonin vetëm mirësi.
Të miturat u gjetën pa shenja jete në lumin Buna, ndërsa vijojnë kërkimet për nënën Alma Arrazin dhe vëllain e tyre të mitur, të cilët dyshohet se janë vetëmbytur. Për ngjarjen e rëndë është vënë në pranga, babai i fëmijëve dhe njëherësh bashkëshorti i Alma Arrazit, Erdgys Arrazi, i cili akuzohet për dhunë në familje e cila ka shkaktuar vetëvrasjen e familjarëve të tij.