Nga Ermal Mulosmani

Pse Kryeminsitri kishte të drejtë

“Politikë të ndikuar nga Mafia në Shqipëri, ju them sinqerisht që nuk shoh. Nuk e shoh. Fuqi për tu imponuar, fuqi për të devijuar vendime të rëndësishme, fuqi për të kontrolluar pjesë të asaj ekonomie që administron shteti unë nuk shoh. Faktet nuk e thonë”.

Më pëlqen ta nis komentin e intervistës së Kryeministrit të Shqipërisë pikërisht me këtë pjesë, diku nga fundi fare i saj. E besoj deri në kockë vërtetësinë e këtij konstatimi.

Do ishte fyes për një Kryeministër të tillë egoist e delirant që, edhe para vetes ta pranonte se dikush tjetër e jo ekskluzivisht AI të kishte fuqinë për të vendosur për politikën apo ekonominë e këtij vendi.

Kjo nuk ka ndodhur.

Rama vetë ka bërë vendimmarrjen. Shqipëria është domen i tij absolut.

Mafiozët janë aty për të përfituar nga vizioni i Tij siç afrohen egërsirat nga një skulpturë mishi. Jo vetëm për ta parë sigurisht….

Nëse vizioni i rrokaqiejve nuk plotësohet dot nga klientë vendas, atëherë mbyllet një sy dhe ftohen segmente të errëta që do t’i japin dritë vizionit Kryeministror për Tiranën e shekullit 2100!

Boeri, Casmonti, Mass, Ingels e të tjerë kushtojnë, kullat e tyre shumë më shumë. Por, për Kryeministrin tonë kjo është një çështje e dorës së dytë. Për të është e rëndësishme që mafiozët, kriminelët, hajdutët e parave publike të mos jenë ata që kanë vizionin. Ata janë thjesht zbatues të vizionit të TIJ.

Këtu kthehemi te çështjet proçeduriale pastaj. Këtu edhe mund të ketë ndonjë devijim.

Vizionin e pastrimit të Shqipërisë nga plehrat e kishte AI. Edhe se kush do ta bëjë, edhe që duhej bërë brenda 10 ditëve e thoshte AI. Ah, nëse të tjerët zbatojnë urdhrat e TIJ dhe shkelin proçedurat kjo është një çështje jashtë TIJ.

ATA duhet të shkojnë në burg.

E njëjta gjë ndodh edhe me biznesmenët lokalë. Kryeministri e kishte vizionin për ndërtimet e aeroporteve. Duheshin të stërmëdha, me kapacitete gjigande, të largonin sa më shumë shqipatrë e të sillnin sa më shumë turistë. Nuk ka krenari më të madhe për të sesa përditë të publikojë statistikat e aeroportit.

E VETMJA statistikë që Kryeministri nuk e publikon është fitimi i KASTRATIT. Sipas të dhënave të vetë kompanisë, për vitin 2022, Kastrati ka fituar neto rreth 30 milionë Euro!

Shkëlqyer!

Por, prit. Kush ia dha të drejtën KASTRATIT?

Aeroporti i Rinasit, krenaria kombëtare e turistëve, u ishte dhënë gjermanëve deri në vitin 2025, (2005-2025). Këta e përdorën nja 11 vjet i morën edhe nja dy vjet shtesë Kryeminsitrit tonë të gjithfuqishëm. I thanë “duhet të mos hapësh aeroport tjetër se ashtu e kishte kontrata jonë me Nanon në 2005-ën”.

Por Kryeminsitri ynë kishte vizionin e TIJ, donte me patjetër Aeroport në Kukës. Për t’i bërë të dyja, vendos t’iu japë edhe nja dy vjet të tjera në përdorim gjermanëve. Pra, nga 2025-a e shtyn deri në 2027-ën.

Gjermanët e mençur, pasi kapën këto dy vjet shtesë në kontratë, aty nga 2016-a, pasi kishin vjelë si fitim neto, gjatë viteve, gati dyfishin e investimit në Aeroport, i futën një të shitur Koncesionit!
Kapën aty një 90 milionësh tjetër! Pra investuan 70 milionë dhe kapën 200-she.

Pastaj i lanë në derë Kryeministrit tonë vizionar pronarë kinezë!

Por Kryeminsitri nuk dorëzohet. Vizioni i TIJ nuk kishte kinezë, ata i prishnin imazhin. Ndodhin edhe ca vjedhje me maska, spektakolare, në Aeroport me miliona Euro.

Ndërkohë Aeroporti i Kukësit, i ngrati, veç bëhej gati por kurrë nuk nisi. Ato dy vjet që u shtoi Kryeminsitri gjermanëve (2025-2027) ishin nja 60 milionë Euro që shkuan në xhepat e të tretëve. Por kjo ëshët një ngjarje e parëndësishme.

Nga fundi i 2020-ës futet në lojë Kastrati. Do e blejë koncesionin e Aeroportit nga kinezët për 71 milionë Euro!

Pra, kinezët, për 4-5 vjet futën 90 milionë, fituan nja 220. Fitim i mirë, pare qyl!

Kastrati e blen por kishte vetëm 6 vjet e pak kontratë. Atij boll i dilnin se 7 vjet me rreth 30 milionë shkojnë 210 meleonë…

Por jo! Kryeministri ynë vizionar ka një mendim tjetër. E shton afatin edhe me 13 vite të tjera. Që me një fitim minimal vjetor prej 30 mil Euro i bien rreth 400 milionë Euro!

Ky është vizioni. Jep pasuri publike pa asnjë proçedurë. Siç ia ka dhënë inceneratorëve, sterilizimin, check-upin, dializën, bregdetin. Kryeministri ynë ka vizionin por përfitimin e kanë klientët e Tij, partnerët e Tij të huaj ndoshta edhe Mafiozët.

Ata nuk kanë nevojë ta urdhërojnë. Njësoj përfitojnë edhe duke zbatuar marrëzitë e tij.

Kryeminsitri ynë ka pasur edhe idenë madhështore të ndërtimit të shtatë kullave brenda LIQENIT. I ka përfituar Kastrati sigurisht. Tokë publike, me çmimin më të lartë të mundshëm, brenda pyllit. Pse duhej shteti shqipatr të betonizonte Pyllin?

Sepse Kryeminsitri ynë ka Vizionin është Kapo i Kapove. Ai duhet të shpërblejë vasalët e Tij me copëra Shqipërie, herë në bregdet, herë në Park të Liqenit, herë në Aeroport, herë me koncesione publike e shpesh herë duke mbyllur sytë. Sipas rastit.

Ai vërtetë nuk komandohet nga asnjë Mafie sepse ai i komandon ata. Prandaj e besoj kur thotë që Mafia nuk e kontrollon vendimmarrjen.