Emisioni Report në RAI 3 ka bërë një radiografi shteruese të narkoshtetit shqiptar e cila mori vlerë më të madhe edhe sepse gazetari Giorgio Mottola e vuri kryeministrin Rama të përgjigjej për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të dhe shtetin e tij. Ai e përballi me fjalët që thoshte ish zv kryeministri Arben Ahmetaj, i ngriti problemin e parave të pista që pastrohen në kullat e Tiranës, e pyeti për atë që u konsiderua si njeriu që mban lidhjet me grupet mafioze, Ergys Agasin, i vuri përballë takimet me Luftar Hysin, që dyshohet se pastron paratë e kartelit të Sinaloas. Por duke qenë se emisioni i drejtohej publikut italian ai u ndal fort edhe tek dy personazhe, ish kryeministri Massimo D Alema dhe ministri aktual i ndërmarrjeve Adolfo Urso që e kanë gjetur Shqipërinë aq tërheqëse, sa kanë ngritur në Tiranë kompanitë e tyre të lobimit sipas lapsi.
Kjo autopsi e vdekjes së shtetit demokratik të së drejtës që mori shkas pas forcimit të marëdhënies Rama Meloni, pati disa pika kulmore të cilat Lapsi.al i ka analizuar njëra pas tjetrës.
Akuzat e Arben Ahmetajt
Arben Ahmetaj pretendoi në një intervistë me kamer të fshehtë se Rama mban lidhje të forta me krimin e organizuar. Ish-ministri u shpreh se grupet kriminale përmes ndërtimit pastrojnë paratë e tyre në Shqipëri.
“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë, pastrojnë paratë e tyre në ndërtim në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve” – tha Ahmetaj.
Ahmetaj është shprehur gjatë reportazhit në “Report” se kishte parë që kryeministri ka takuar figura drejtuese të krimit në zyrën e tij. Rama i mohoi këto akuza kur u intervistua dhe tha se i takon atij që akuzon të nxjerrë prova dhe jo atij që akuzohet. Ai e anashkaloi njërin prej ish bashkëpunëtorëve të tëij kryesorë me shprehjen “Pyll pa derra nuk ka”.
Personazhi Enigmatik i lidhjes me bandat, Ergys Agasi
Pas akuzave të ish zvendës kryeministrit se ai është njeriu që mban lidhjet e Ramës me bandat, Rai 3 theksoi se Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i një ish-deputeti socialist, Bardh Agasi, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini. Kur u pyet për të Rama nuk pranoi të përgjigjet dhe i rëshkiti interesimit të gazetarit duke i thënë se po fliste për emra që nuk kishin lidhje me të.
Rasti i Lufttar Hysajt
Një tjëtër kazus si provë se Rama i priste narkotrafikantët në zyrë ka qenë edhe rasti i një personazhi të akuzuar se pastronte në Kanada paratë e kartelit të Sinaloas. Gazetari e ka pyetur Ramën për Luftar Hysën, një emër që më pas është konsideruar si një nga narko-trafikantët e Amerikës Latine. Rama tha e ka takuar në zyrën tij një herë, por nuk e dinte se kush ishte.
“Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis”iu hakërrua kryeministri Mottolës. Ai vazhdoi:
“Unë nuk kam takuar asnjë pastrues të asnjë lloj paraje të asnjë pale. Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër”. Por më pas asnjë masë nuk u morr ndaj Hysajt.
Mbrojta e Artur Shehut në emër të Engjëll Agacit
Rama u vu përballë edhe faktit se gjenerali i karabinierëve, Fabrizio Lisi, i cili ka mbajtur edhe postin e shefit të Interpolit Italian në Shqipëri në vitet 2014-2015, u gjend në mes të një skandali të madh, kur u zbulua se një fondacion i drejtuar prej tij në vendin tonë kishte marrë një dhuratë të vyer, rreth 30 mijë metra katrorë tokë në bregun e Vlorës, nga një i dyshuar si narko-trafikant, Artur Shehu.
Në dëshminë e dhënë për emisionin “Report” gjeneral Lisi u pyet për mënyrën se si fondacioni “Luca dhe Marco Eftimiadhi” përfitoi tokën nga Shehu dhe ai tha se këtë të fundit ia kishte prezantuar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Rama mori nën mbrojtje Engjëll Agaçin dhe Artur Shehun, teksa për këtë të fundit tha se nuk rezulton i dënuar, ndërsa mohoi edhe se ka njohje personale me të. Duke e mbrojtur Shehun si të pa dënuar ndonëse gazetari theksoi se ai ishte i hetuar në Itali, Rama donte ti bëhej mburojë Sekretarit të vet të Përgjithshëm:
“Ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat në itali, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm. Ç’hyn ai me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje. Ç’lidhje ka? Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxha Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme” tha kryeministri!
Kullat e drogës
Narratori i emisionit përmendi si një temë të nxehtë paratë e drogës që pastrohen përmes ndërtimit në Tiranë. Sipas denoncimeve të Ahmetajt, pyetjes që ngriti Fatos Lubonja dhe shifrave të pa kundërshtueshme që renditi Ola Xama, disa prej “qiellgërvishtësve” që po ndërtohen në kryeytet janë me para të pista. Mes njërës prej të përmendurave ishin kulla DownTown One e Shefqet Kastratit dhe kuëëa “Ekspozita” që po ndërtohet në zonen e ish-ekspozitës nga familjarët e Ervin Matës, të shpallur në kërkim për trafik droge.
Gazetari italian theksoi se vetëm 20% e vlerës së përgjithshme të parave për ndërtimin e kullave është dhënë në formë kredie nga bankat. Pra nga 3.7 miliardë euro të investuara në ndërtim vetëm 846 milionë janë financuar nga sistemi bankar. Rama u rek të argumentojë se apartamentet shiten si pasojë e parave të emigracionit por edhe kjo shifër u hodh poshtë nga sasia e remitancave që raporton banka e Shqipërisë. Si për ta nxjerrë Ramën në gëneshtër kamera e Report tregoi kullat natën me drita të fikura dhe apartamente të pashitura.