lir Meta ka ashpërsuar tonet ndaj SPAK, në një konferencë me gazetarët pasi u mor për tre orë në pyetje ditën e sotme.
Meta e ka quajtur SPAK-un si “vegël të Edi Ramës” dhe që “është krijuar në mënyrë të paligjshme” për të mbajtur sipas tij, nën presion opozitën dhe mediat.
“Unë nuk kam patur asnjëherë besim te SPAK, sepse SPAK që kur u krijua, u krijua në mënyrë të paligjshme. Ne kemi qenë të detyruar të mbështesim SPAK-un dhe këdo me denoncime, nuk ka asnjë arritje të SPAK-ut është mashtrim. Ka vepruar me shumë vonesë. SPAK-u për të dhënat e qytetarëve shqiptarë vajti dhe hapi çështje ndaj gazetarëve. Kështu që nuk ndaloj askënd të ketë besim e SPAK dhe të bie në dashuri me SPAK. SPAK është aleati më i verbër i Edi Ramës, që përdoret nga Edi Rama për të mbajtur në presion opozitën, mediat”, tha Meta.
I pyetur për bashkëshorten e tij që u pyet në SPAK ditën e djeshme, Meta u distancua duke thënë se e di Kryemadhi se çfarë ka bërë me blerjet apo arredimin e shtëpisë.
“Nuk jam marrë unë me shtëpitë, e ka blerë këtu apo e ka blerë aty, ku është bërë arredimi. Nuk kam kryer asnjëherë estetike, për çdo shërbim shëndetësor që kam patur, ka qenë transparent. Isha pa telefon, sot më hoqën edhe orën, edhe çelsat, nuk u mërzita, pantallonat nuk mi hoqën dot”, u shpreh Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë, insistoi disa herë se nuk i janë komunikuar akuza nga SPAK dhe se është thirrur si person që ka dijeni.
“Edhe Sashën le ta arrestojnë, macen time të dashur që më mungon aq shumë, betejën do e vazhdojmë, do i hedhim në koshin e plehrave bashkë me tarallakun”, u shpreh ai.