SPAK ka regjistruar procedim penal ndaj ish ministres së shëndetësisë, aktualisht ministre e arsimit dhe sportit, Ogerta Manastirliu.
Procedimi mban numrin 81, të vitit 2024 për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ky procedim është regjistruar pas kallëzimit të bërë nga deputetja e PD Albana Vokshi në vitin 2020, për keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet e Covid-19, kohë në të cilën Manastirliu drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Referuar kallëzimit të bërë nga Vokshi aso kohe, pretendohet se Manastirliu ka bërë tendera sekretë gjatë kohës që ishte ministre e shëndetësisë.
Spak po kryen veprime hetimore për Manastirliun, e cila në muajin shkurt u thirr në Prokurorinë e Posaçme për tu marrë në pyetje, për një çështje që ajo e cilësoi sekret hetimor.
Pak javë më parë, Vokshi ka bërë një kallëzim shtesë për Manastirliun, duke shtuar në të, prova për tendera.