Erion Veliaj i ka dorëzuar sot ekipit të futbollit të Partizanit çekun pas shpalljes kampion. Ndonëse me vonesë, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është kursyer në promovimin e këtij aktiviteti ku veç presidentit Gaz Demi, futbollistëve dhe Ogerta Manastirliut ndriçonte me mungesën e tij drejtori sportiv Olsi Rama.
Ky i fundit ka qenë kritik me Veliajn për bonuset që bashkia i detyrohet Partizanit. Por arsyeja duket pak bindëse po të mendosh që vëllai i kryeministrit shfaqet në çdo aktivitet publik të ekipit që drejton.
Arsyet mund te jenë dhe personale, por po kaq personale kanë qenë dhe përplasjet brenda llojit që kanë çuar në këtë “divorc” të kurorëzuar paraditen e sotme në tarracën e Bashkisë.

Gjithçka u bë e dukshme ditën kur SPAK ndaloi drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe ngjarja u pasqyrua dukshëm në media. Gjë e cila dëmtoi imazhin e Veliajt si asnjëherë më parë. Rastësi apo jo, në të njëjtën ditë Gaz Bardhi u shfaq në mbrëmje me akuzat ndaj Olsi Ramës për lidhje me krimin duke risjellë një temë të vjetër pa ndonjë element të ri. Zhvendosja e vëmendjes dhe e debatit nuk e shpëtoi Veliajn nga përgjegjësitë, por relativizoi deri diku situatën me shpërndarjen e akuzave.

Çështja e drejtorëve të Veliajt dhe emri i Olsi Ramës qëndruan për një kohë relativisht të gjatë në vëmendje në një garë mediatike ku palët nuk e fshehën dot zemërimin, ndikimin dhe inatin që emrat po përdoreshin në mënyrë jopropocionale.

Javët që pasuan treguan dhe më qartë çarjen e marrëdhënies mes Veliajt dhe Ramës. Madje një pjesë e medias nisi dhe garën e dekriptimit të gjuhës dhe shenjave mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë për të kuptuar se deri në ç’pikë ka shkuar kriza e marrdhënies mes tyre.

Dhe siç ndodh rëndom në një shoqëri ku politika,interesat dhe familja janë të lidhura në mënyra të pandashme, kjo e sotmja është një shenjë më shumë se kriza mes Ramës dhe Veliajt është në pikën e saj të vlimit. Se sa dhe si do të djegë ky vlim, kjo pritet të shihet në javët në vazhdim. Ku për të parë nivelin e djegies nuk do të ngrenë sytë nga dielli por nga SPAK. Që nuk duket të ketë marrë ende pushimet verore.