“Pali nuk vrau veten, e vrau padrejtësia,”-kështu u shpreh Marçel Laçaj për mikun e tij, i cili u vetëvra para SPAK.
Në një intervistë të dhënë për “ReportTV”, Laçaj tregoi edhe bisedën e fundit që ka pasur me mikun e tij të ndjerë, Pal Trashajn në telefon ditën që kreu edhe aktin e vetëvrasjes. Sipas Laçaj, miku i tij bënte thirrje për drejtësi pavarësisht se nuk e gjeti.
“Kontakti i fundit fizik ka qenë para 2-3 ditësh, ndërsa me telefon ka qenë ditën kur ka vrarë veten. Nuk i dallova ndonjë shqetësim. Më tha do shkoj deri në SPAK se kam problemet e mia. Zoti ta priftë mbarë i thashë. Më tha këtu nuk ka drejtësi, jam duke kërkuar drejtësi, por këtu nuk ka. E di që ka pasur shumë probleme. Kur e pashë në televizion lajmin, menjëherë mu kujtua Migjeni me poemën “Mjerimi”. Këtë popull vazhdon dhe e mund mjerimi. Po ikin shqiptarët prej shqiptarëve. Pali nuk ishte nga ata që e vret veten, se nuk e ka vrarë veten. Palin e ka vrarë padrejtësia që sundon në këtë vend. Ai ishte shumë i hapur se ishte i librit, por kur vinte puna për probleme, ai ishte shumë i mbyllur,”-rrëfeu miku i tij.
Gledis Trashaj tha se babai i tij ishte një njeri që besonte te drejtesia, edhe pse vendimet e gjykatave në shumicën e rasteve kishin qenë kundër tij. Shpresa e vetme, që ishte SPAK, i kishte dhënë atij në muajin Prill një përgjigje negative për nisjen e hetimeve për një kallëzim që Pal Trashaj kishte bërë pas problemeve që ai kishte me kompanitë “NOA” dhe “MCA”, por edhe Bankën Kombëtare Tregtare.