Nga Mentor Kikia

Rruga e re Thumanë – Kashar është(apo duhej të ishte) një çlirim për trafikun në aksin Tiranë- Lezhë. Ata që e kanë shfrytëzuar këtë rrugë qoftë edhe një herë të vetme në sezonin veror e dinë çfarë do të thotë.

Por hapja e rrugës së re, me pagesë, është shoqëruar me një veprim absurd, me mbylljen e rrugës së vjetër. Për të hyrë në Tiranë, kur vjen nga Veriu, nuk ka mundësi ta shmangësh rrugën e re me pagesë. Duhet të kalosh aty patjetër. Por, edhe në sensin Fushë Krujë – Lezhë, sërish nuk futesh dot në autostradë, do të duhet të bredhësh nëpër arat me jonxhë të Thumanës(pasi në atë që quhet rrugë e fshatit vetëm traktorët mund të kalojnë).

Pamundësi inxhinierike apo detyrim që të gjithë, pavarësisht se ku shkojnë e nga vijnë, të kalojnë nëpër rrugën ku duhet të paguajnë afërsisht 3000 lekë të vjetra për çdo kalim?

Si mund të ketë akses një kompani private të vendosë për të nxjerrë rrugët dytësore nga përdorimi, për interesat e veta?

Nxjerrja e rrugës ekzistuese jashtë përdorimit e ka futur në kolaps rrugën e re. Radhë kilometrike janë shënuar në fundjavë, e madje edhe sot, të hënën, për shkak të procesit të pagesës. Nëse do të ishte alternativa e rrugës së vjetër, trafiku mund të ndahej dhe njerëzit nuk do të detyrohen të qëndrojnë me orë të tëra në diell, e të piqen në asfalt.