Hetimet për inceneratorin e Tiranës, bashkëshortja e Ben Blushit, Eva Blushi paraqitet në SPAK
Eva Blushi, bashkëshortja e ish-deputetit të PS-së Ben Blushi është paraqitur sot në prokurorinë e Posaçme dhe ka dhënë shpjegime për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Blushi është pyetur nga prokurori i posacëm Dritan Prenci. Burimet e vna thanë se ajo dorëzoi në Prokurori disa dokumenta per të shpjeguar pozitën e saj.
Pyetja e Eva Blushit vjen pas urdhër -arresteve ku SPAK ka zbuluar një grup kriminal të drejtuar nga Mirel Mertiri e Klodian Zoto, pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës që ka pastruar 20 mln euro.
Skandali
Incineratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat premtuan, përkundër këshillave të ekspertëve dhe të Bashkimit Evropian, të ndërtonin incineratorë për djegien e mbeturinave. Në gusht të këtij viti, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së incineratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, aktualisht në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Kompania Integrated Energy B.V u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh.
Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se mes viteve 2017 dhe 2021, qytetarët i paguan Integrated Energy BV së paku 7.9 miliardë lekë në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit. Në vitin 2021, të ardhurat e kompanisë arritën në 2.6 miliardë lekë. Bilanci i vitit 2022 nuk është depozituar deri më tani në QKB, por të dhënat e pagesave të thesarit të buxhetit të shtetit tregojnë se nga 1 janari 2022 deri më sot, kompania ka përfituar edhe 2 miliardë lekë të tjera. Duke marrë parasysh këtë, dhe të ardhura të tjera që kompania faturon për depozitimet, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro.
Incineratorët e Fierit dhe Elbasanit i kanë kushtuar veçmas sëbashku rreth 50 milionë euro.