Ministri Ervin Hoxha me “dorë të hekurt”, mediat: Ndryshojnë krerët e policisë, ikin Besmir Qibini , Përparim Dema dhe Ermal Muca, kush i zëvendëson

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha pritet që të vijë me një mendësi tjetër sa i përket qasjes së Policisë së Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar si edhe në shërbim te qytetarëve.

Pasi ka bërë një verifikim të situatës, ministri duket ka vendosur që të bëjë lëvizje të forta në kupolën e Policisë së Shtetit dhe në qarqe të caktuara ku krimi ka bërë kërdinë gjatë viteve të fundit.

Në fokus është Tirana, Vlora, Shkodra dhe Durrësi për momentin pasi të dhënat janë që lëvizjet kryesore të krimit të organizuar bëhen në këto qarqe.

Grupet kriminale të Fierit, Durrësit dhe Vlorës, nën koordinimin e bosave të politikës në Tiranë janë bërë të paprekshëm, por si një teknokrat skrupuloz Hoxha duket se do të lërë emër të mirë në krye të Ministrisë së Brendshme për aq kohë sa do të rezistojë aty.

Mediat raportojnë se lëvizjet kryesore janë piketuar dhe do të aktualizohen në shtator.

Sipas Timoni.al, lëvizja e krerëve të policisë do të nisë në Tiranë ku pritet rikthimi i Ardian Çipës. Skandali me kalimin e paligjshëm të qytetarëve në Rinas duket se do t’i kushtojë shumë kreut të Policisë Kufitare, Përparim Dema, i cili sipas portalit në fjalë pritet të lëvizë nga aty.

Ndërkohë, kaosi me trafikun në Tiranë dhe problemet brenda Policisë Rrugore të kryeqytetit duket se do “t’i hanë kokën” Besmir Qibinit.

Burime bëjnë me dije se ministri Hoxha nuk beson te gjoba si element i përmirësimit të sjelljes së shoferëve në rrugë, vizion që duket se nuk e ndan Qibini.
Ndërkohë priten lëvizje dhe në jug të vendit, ku ikën Ermal Muça i Vlorës.

Ministri i ri i Brendshëm ka ardhur me dorë të forta dhe po kryen një sërë ndryshimesh.

Hoxha ka mbështetjen totale të kryeministrit Rama, i cili i ka kërkuar vetë ndryshime rrënjësore në Policinë e Shtetit.