11 Gusht 2022! Faik Martinaj, si dje, 2 vite më parë shkoi në Komisariatin e Kurbinit, vetëm pak minuta larg Fushë Kuqes ku edhe banon për të bërë një denoncim: Nuk kam asnjë kontakt me nipin tim!
Një nga personazhet më të njohur dhe më të përfolur të botës së krimit ishte zhdukur pa lënë gjurmë, madje fati i është mister edhe sot e kësaj dite. Shumë aludohet, por ka pak fakte.
Por pyetja mbetet e njëjta: Ervis Martinaj është zhdukur, apo e kanë zhdukur?
SHFAQJA E FUNDIT
Itinerari Shkodër-Durrës-Tiranë dhe Vlorë?
Ervis Martinaj, Jeton Lami, shoferi i tij dhe një vajzë udhëtuan në Durrës më 5 gusht me një Audi Q8. Atje, në një hotel në pronësi të një grupi kriminal që vepron në Durrës me njohje të forta politike, Martinaj qëndroi 1 natë por lëvizi dy ditë. Të nesërmen, efektivi i Operacionales Jeton Lami shkoi dhe mori Martinajn bashkë me shoferin për ti sjellë në Tiranë, me një makinë tjetër ndërsa vajza u la atje. Data shënon 6 gusht. Deri më 7, makina tip Volksëagen është parë të lëvizë me pasagjer Martinajn nëpër rrugët e Durrësit.
Më datë 8 dhe 9 gusht, 39-vjeçari, (sot do të ishte 41) u pa për herë të fundit në Tiranë, në zonën e “Zogut të Zi”, pranë banesës së tij ngjitur me një qendër tregtare, atje ku nisi karrierën në fushën e lojërave të fatit. Nga pamjet e kamerave të sigurisë që janë publikuar në media por edhe nga hetimet e kryera deri më tani, është dalë në përfundimin se Martinaj është zhdukur pa gjurmë në zonën e Shijakut. Mbrëmjen e 9 gushtit, ai është shfaqur në filmimin e një kamera sigurie në zonën, prapa një qendre tregtare, teksa hipën në sediljen e parë të një makine tip “Audi A8”. Makina largohet duke hyrë në rrugicën e pallatit të sportit “Asllan Rusi” dhe mandej shfaqet në ambientet e një karburanti në Kashar. Pikërisht në këto ambiente Martinaj ka ndërruar makinë, duke u larguar në drejtim të Vorës dhe mandej ka hyrë në zonën e Shijakut. Në këtë zonë ka shkuar në banesën e një personazhi të njohur të tij, dhe pikërisht këtu ka humbur çdo kontakt.
DENONCIMI I XHAXHAIT
Më 9 gusht, Faik Martinaj ka shkuar në Policinë e Kurbinit për të denoncuar zhdukjen e të nipit, për të cilin nuk ka pasur më informacione nga personi ndërmjetës. Flitet për një person nga Puka, që banon aktualisht në Dubai. Emri i këtij personi edhe sot nuk është zbuluar.
Çfarë deklaroi para Policisë Faik Martinaj?
Kam gjeneralitetet e lartpërmendura dhe banoj në adresën e mësipërme. Në lidhje me nipin tim, djalin e vëllait, Ervis Martinaj i cili është i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar, dje në darkë rreth orës 22:00, jemi njoftuar nga një i afërmi jonë që për arsye sigurie nuk dua t’ia përmend emrin, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, por është në Dubai. Na ka vënë në dijeni se Ervisi ishte zhdukur dhe nuk kishte kontakte me të. Dua të theksoj se që prej kohës që nipi është shpallur në kërkim nuk kam pasur asnjë kontakt me të, të drejtpërdrejt apo në telefon, por vetëm nëpërmjet personave të afërm. Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka për vetë mënyrën si u zhduk.
BISEDA E FUNDIT ME FAMILJARËT
Prokuroria e Laçit, që po ndjek hetimin e zhdukjes misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj, ka konfirmuar që Martinaj ka komunikuar me xhaxhain e tij, përmes aplikacionit “Telegram”. Mesazhi është dërguar pasditen e 9 Gushtit, nga Martinaj në orën 19:21, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen:…Kujdes, se mund të ketë kontrolle….
Ky mesazh, pas 3 minutash është parë nga gruaja e Rakipit, Lavdie Martinaj, e cila është dhe nëna e Brilantit të ekzekutuar në 17 korrik 2022, në masakrën e Fushë-Krujës. Ishte ajo që i kthey përgjigje në orën 19:24: …A je mirë? Nga kush nga policia apo nga…?
Por nuk mori më asnjë përgjigje!
Gjatë një bashkëbisedimi me “Ora Neës”, babai i Ervis Martinaj, tregon se nuk ka shpresa për të gjetur të birin gjallë. Por njëherësh ai shprehet, se nuk është hapur asnjë mort në banesën e tij, për Ervis Martinaj. Sipas të moshuarit, njerëzit që e kërkonin dhe kanë financuar vrasjen e Ervis Martinaj, janë ish-shokët e tij më të afërt, duke mos i kursyer edhe akuzat ndaj pushtetit.
“…ne jemi në një situatë jo të mirë, ndodhemi në momente zie. Shtëpia ime është në mort dhe ka hapur dyert për ngushëllim, pasi unë kam humbur nipin tim Brilantin. Në këtë shtëpi, nuk ka asnjë mort të hapur për djalin, Ervisin, megjithëse shpresat e mia për gjetjen e tij gjallë, tashmë janë shuar plotësisht… Nga Dokle, Reçët, Dukat e grupet në Tiranë dhe grupi i Vlorës, kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme vrasjen e tij. Dhe gjatë kësaj kohe, ja vranë të gjithë shokët…” – pohon Mustafa Martinaj.
Pas të atit të Martinaj, në një intervistë me telefon, me tone më të ashpra foli Faik Martinaj. Në një lidhje telefonike për emisionin ‘Pa Gjurmë’, Faik Martinaj hodhi dyshime se i nipi ishte vrarë dhe se kufoma e tij ishte zhdukur nga armiqtë e tij, ndërkohë që nuk i kursyer termat fyes për kryeministrin Edi Rama dhe të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani.
“Dyshoj që nipi im është vrarë dhe kufoma është zhdukur. Edi Rama megakriminel. E gjitha ndodhi pas Dumanit. Dumani, Dumani, Dumani. Hyr edhe dil Dumani. Ça mendoni se nuk kanë lidhje ato? Ai është vrarë dhe është zhdukur kufoma. Kundërshtarët e kanë eleminuar. Hasmi nuk të zhduk xhenazen. Edi Rama është megakriminel,”-u shpreh ai.
PJESË NGA INTERVISTA:
Faik Martinaj: Rreth orës 7 e 23 minuta të pasdites, të darkës.
Gazetarja: Çfarë ju shkruante në atë mesazh?
Faik Martinaj: Asgjë. Kurrgjë. Kujdesni nga shtëpia, kaq.
Gazetarja: Thjesht ju përshëndeti?
Faik Martinaj: Ne e dinim, se ne na e ka dhanë mesazhin ky kryeministri i Shqipërisë, fatkeqësi kombëtare, kryekrimineli i kombit shqiptar, Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënu, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth. Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut. Kryesori, kryekrimineli i zhdukjes së nipit tim. Se hasmi të vret, nuk të zhduk kufomën. Po se nuk i intereson me e zbulu. Se ishin veglat e tij. Ky ishte iniciatori. Ky ishte organizatori i zhdukjes. Shiko, hasmi të vret, nuk e zhduk kufomën. Këtë, vetëm shteti, një SpiroKolekë i dytë dmth i zhduk kufomat.
Gazetarja: Pra ju besoni se nipi juaj është vrarë?
Faik Martinaj: 100% 100%, e di kryeministri këtë punë
Gazetarja: Për zhdukjen e nipit tuaj ka pasur deklarata nga kryeministri aktual që e ka komentuar, por edhe nga ish-kryeministri Berisha.
Faik Martinaj: Nuk i kam dëgjuar deklarimet e ish-kryeministrit Berisha, por (ndërhyn gazetarja: Dëshironi t’ua them edhe unë) por kam dëgjuar që në zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar kam dëgjuar kryekriminelin, kryeministrin aktual, kryekriminelin (ndërhyn prap gazetarja: Zoti Faik!) edhe që ka deklaruar para mijëra mijëra mijëra qyetarëve në mitingje që “unë i them atij drejtorit se ne ia dimë targën e makinës”, pra ne na e ka kallzu që do t’jua zhduk.
DEKLARATA NGA POLITIKA
Në takimin me Drejtuesit e Lartë të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022, kryeministri Rama preku edhe çështjen më “hot” të kronikës së zezë, atë të zhdukjes së Ervis Martinajt. Madje zbardhjen e kësaj çështje ia la detyrë kryepolicit të sapoemëruar, Muhamet Rrumbullaku
“Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet tëg marrë fund sa më parë. Drejtori i policisë së shteti që merr sot detyrën si një ndër oficeret më jetëgjate, duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund. Nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut nëse jo të gjendet të kapet ti dorëzohet Policisë,”– tha Rama.
Po atë ditë, për herë të parë, por jo të fundit reagoi edhe kryedemokrati Sali Berisha. Për Berishën, Martinaj ishte një biznesmen i ndershëm, që u pasurua falë biznesit të ligjshëm të lojërave të fatit, e si zakonisht, nuk i kurseu sulmet ndaj kryeministrit.
“Shqipëria është një vend i pasigurtë, një vend në të cilin bandat godasin, në parlament bëjnë ligjet, në qeveri bëjnë vendimet, por në fakt një lidhje të madhe mes të trejave ekziston. Sot Edi Rama porosiste Met Rrumbullakun, ku është Vis Martinaj. Ua them unë, ai është tek lojërat e fatit. Po kjo çfarë prokurorie është që thuhet se mban një trup me gjashtë copa dhe nuk bën një përgënjeshtrim? Sepse kontrollohet nga Rama. Nëse është në gjashtë copa, familja njoftohet. Është kod shekullor,”- tha Berisha.
2 herë e ka adresuar ngjarjen edhe tashmë ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla duke dhënë sinjalin e dytë se fati i Martinaj ishte një dhe i vetëm… ‘vrasja’. Fillimisht, i pyetur nga gazetarët, Balla tha se çështja është prioritet për të dhe për Policinë e Shtetit, por pavarësisht se kanë shumë informacione nuk kanë fakte. Deri në këtë pikë, deklarata e tij nuk la shumë të kuptohej, por ajo që përcolli më pas, po.
Sipas ministrit, bossi i lojrave të fatit, ishte pjesë e një ngjarje të rëndë, që me një logjikë të thjeshtë është eliminimi i tij, duke rrëzuar tezën tjetër që është ngritur nga mediat dhe jo vetëm se zhdukja ishte inskenuar prej tij për t’u shpërtuar armiqëve dhe drejtësisë.
Madje në një dalje tjetër publike deklaroi se për trupin e Martinaj, plumbarët e forcave RENEA kishin kryer kontrolle edhe në det. Sërish përforcohet teza e vrasjes së tij.
GAZETARËT E KRONIKËS
Për Artan Hoxhën misteri është i zgjidhur! Në çdo dalje, gazetari thekson se e ka një përgjigje për fatin e tij, por nuk ka prova për të vërtetuar eliminimin e Martinajt. Madje ka ngritur tezën se në Shqipëri është krijuar “Los Pepes” (bashkimi i kundërshtarëve të tij) për ta eliminuar.
“100 ditëshin që dha kryeministri e dinte dhe vetë që nuk e besonte. Për mua Ervis Martinaj është tradhëtuar, rrëmbyer, shitur dhe më pas është eliminuar. Për mua ka qenë një strukturë kriminale, komando, që ka përdorur mjete dhe uniforma policore. Për mua ky veprim është bërë nga aleanca e 6 grupeve kriminale të Shqipërisë.
Është një grup, një grup mjaft i përgatitur, ka dalë katër herë në terren dhe të katra herët e ka realizuar misionin. Nuk ka dalë duarbosh. Këtu në Shqipëri është krijuar njësia ‘Los pepes’, njësoj si në Kolumbi për zhdukjen e Pablo Escobar. 6 apo 7 grupe të mëdha krijuan këtë njësi, pranuan edhe problemet mes tyre, ranë dakort vetëm që të nxirrnin jashtë loje Martinajn e skuadrën e tij. Pjesë e kësaj njësie të ngritur u bënë edhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Në mos Policia e Shtetit është palë, ka mbyllur sytë, po i lë rrugën hapur për të arritur atë qëduan. Pse u bë kjo? Sepse nuk mund ta thyenin ndryshe.
U lejua një aleancë kriminale për arsye madhore duke u mbështetur në informacionin e siguruar nga agjensitë e zbatimit të ligjit. Duke u mbyllur një sy dhe duke i lënë të lirë të vepronin. Martinaj ishte kthyer në armik publik, administronte një industri që kishte autonomi veprimi. Ndaj tij kishte shumë interesuar që të dilte nga qarkullimi. Nuk ka asnjë informacion. SPAK e heton për llogari të “Plumbi i artë”, e kërkon akoma. Prokuroria e Kurbinit e kërkon për eliminim fizik. Sot nuk ka asnjë përgjigje. Ata e kanë një përgjigje. Besoj se Rama e di çfarë ka ndodhur me Martinajn por përgjigjia duhet dhënë me prova. Panorama është kjo: Shkodra, Durrësi dhe Vlora janë qarqet problematike. Tirana duhet të jetë vigjilente se i mbledh të gjitha,”-tha Hoxha.
Ndryshe nga Artan Hoxha, gazetarja tjetër e kronikës së zezë, Klodiana Lala nuk përjashton asnjë nga tezat. Më 7 mars 2023, në një studio televizive ajo u shpreh se i kanë dërguar një mesazh në të cilin i kanë treguar se Martinaj është mbajtur peng në një rezosrt në Kolumbi.
“Jam përpjekur të mos jap kakofoni informacioni, por të qëndroj më shumë në habitatin tim për të qenë korrekte dhe për të mos e cenuar këtë çështje. A kam të drejtë si gazetare të dyshoj që fill pas zhdukjes së Vis Martinajt po diskutohen lojërat e fatit? A kam të drejtë të dyshoj kur bëhen bashkë disa aleanca grupesh që ta godasin atë? Kam shkruar edhe kur ai kaq qenë autor, por kam shkruar edhe kur ai ka qenë ‘viktimë’, pra i akuzuar. Unë kam qenë e balacuar edhe kur ai ka qenë në aleancë me grupe dhe godiste kundërshtarët, por edhe kur kundërshtarët e godisnin atë. Është ndër rastet më interesante, kam patur dhjetëra telefonata, qindra mesazhe nga mënyra të ndryshme, shkruajnë në email, Instagram, Facebook, shkruajnë shumë gjëra. Nuk mund të them se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Kjo ka lidhje me etikën profesionale, jo me trimërinë. Sikur të ekzistojë 1% rreziku për të ma rrëzuar atë që them do të ishte një kosto shumë e madhje për mua si gazetare por edhe për gjithë pjesën tjetër. Nëse unë dal dhe deklaroj që fati i Martinajt është ky, është familja përballë, unë kam biseduar me ata, s’i kanë pritur mirë shumë lajme, kanë patur pretendimet e tyre, edhe jam “sulmuar” pak, por nuk ka rëndësi, në fund fare nuk ka të bëjë me trimërinë, por me etikën dhe profesionalizmin. Nëse them është gjallë, duhet ta provoj. Nëse është i vdekur, duhet ta provoj. Njëri më dërgonte mesazh me numër nga Kolumbia se fati është kështu, se është mbajtur në këtë resort, se ka ndodhur kjo, por nuk mund të jap më shumë detaje, janë autoritetet që duhet ta thonë fjalën e tyre të fundit,”- u shpreh Lala.
KUNDËRSHTARËT E MARTINAJT
“Dumani-faktor”, tatëpjeta nisi pas dëshmisë për Martinajn
Më 29 mars 2022, në Papër besohet se është zhvilluar një fushë-beteje mes dy miqve, sot armiq. Nuredin Dumani u përplas me Talo çelën dhe ushtarët e tij. Nga përplasja e përgjakshme, Dumani u plagos duke sjellë edhe zbulimin e tij e më pas arrestimin në Fier. Ai u largua ndërkohë që për Talo Çelën ende nuk dihet asgjë. Arrestimi i Dumanit pasoi në një bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke sjellë edhe shkatërrimin e 8 grupeve kriminale. Gjatë rrëfimit të tij për hetuesit e SPAK, Dumani akuzonte Martinajn se e kishte porositur të ekzekutonte Indrit Doklen, kapon e fraksionit të Bandës së Durrësit. Dumani deklaronte se Martinaj i dha 100 mijë euro, nga 500 që i kishte premtuar, ndërsa vetë ai thoshte se nuk e kishte vrarë “Ditin e Vogël” pasi donte ti fuste në hasmëri me njëri-tjetrin. Kaq mjaftoi që nga ky moment, Martinaj u zhduk por për shtetin. Për miqtë dhe gazetarët jo. Martinaj vazhdonte të komunikonte rregullisht me ta. Por nëse me shtetin dhe policinë, raportet rregullohen me zarf, me krimin nuk është njësoj.
Në media flitet për një konflikt të tij me Indrit Doklen, që daton shumë më herët se dëshmia e Dumanit. Por Dokle vetë ka mohuar gjithçka.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj,”– është shprehur Dokle kur është pyetur lidhur me rastin “Martinaj”.
Dokle njihet si dhëndrri i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi. Reçi u vra në qendër të Laçit më 1 nëntor 2021 ndërsa dyshimet pasuan edhe kushëririn e Martinajt, Brilantin.
Në 2022, në emisionin “Inside Story” zbardhen disa biseda ku pretendohet se flitet për vrasjen e Martinajt. Vërtetësia e atyre mesazheve edhe sot nuk është provuar dot nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Janë bërë bashkë të gjithë. Tani këtë herë e kanë bërë për V…(Visin). Mos ti kishte thënë për V. Do ishte gjallë akoma. Hajde i kishin thënë e kam gati. Ky peshku kishte vajt. Dhe e kishin marrë peng. E kan hedh në det. Ca peshku. Atë e kanë humb atë natë. Ka festuar se i kanë nis fotot”.
Sipas “Inside Story”, Policia dyshon se Martinaj kishte shkuar në Shijak për të lidhur aleancë me një grup të fuqishëm të zonës, por pikërisht aty mendohet se është “shitur” te grupet rivale. Por nuk përjashtohet mundësia që këto mesazhe të jenë të fabrikuara për të nxitur dyshimet për vrasjen e tij, kur e vërteta mund të jetë krejt ndryshe.
2 vjet zhdukje, kush po e heton?
E gjithë kjo ngjarje, e cila është kthyer në një telenovelë që “shet” më shumë se çdo lajm tjetër kronike është lënë për t’u hetuar nga Prokuroria e Kurbinit. Ndërkohë që paralelisht, SPAK e kërkon “të gjallë” Martinaj. Edhe pse i zhdukur, emri i tij del në çdo bisedë që është zbardhur nga aplikacioni ‘SkyECC’. Më e fundit ishte përfshirja e tij në tentativat për vrasjen e Durim Bamit, bashkëpunimi me ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka dhe planet për vrasjen e armikut të tij të përbetuar, Leonard Duka. I vetmi person që ishte me të në momentin e fundit, truporoja e tij dhe ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Jeton Lami është liruar nga burgu duke mos nxjerrë asnjë fjalë për atë që ndodhi natën e 9 gushtit.
As atëherë, as sot! Me shumë gjasa, me këto ritme hetimesh asgjë nuk do të zbardhet edhe për shumë kohë…derisa dikush të flasë, ose në rastin tjetër, kur vetë Martinaj të vendosë të shfaqet. Se kush ka gjasa të ndodhë më parë…vështirë të parashikohet.