Të paktën gjashtë zyrtarëve të lartë të policisë iu është kqyrur telefoni nën dyshimet se mund të kishin dekonspiruar aksionin për arrestimin e pjesëtarëve të organizatës Copja, të drejtuar nga vellëzërit Franc dhe Hajdar Copja.
Burime të besuara thanë për VNA se njeri prej zyrtarëve mban post të lartë në Policinë e Shtetit dhe ka qenë i pari që ka marrë në duar urdhrat e ekzekutimit për anëtarët e organizatës kriminale dhe pasi i është kqyrur celulari i tij, njëherazi është marrë edhe në pyetje.
Të njëjtës procedurë i janë nënshtruar edhe zyrtarë të tjerë, të cilët kanë qenë në dijeni të detajeve të aksionit dhe urdhrave të SPAK. Celulari i është sekuestruar edhe drejtorit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, një prej kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Organizata kriminale e Franc e Hajdar Copjas, është një ndër më të rrezikshmet që është hetuar dhe goditur nga prokuroria e Posacme. Kjo organizatë akuzohet për vrasje, atentate, trafik, pastrim parash.