Prokuroria e Durrësit, e cila po heton skandalin e eksportit të mbetjeve të dyshuara të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës nga kompania Sokolaj shpk, ka marrë në pyetje zyrtarët më të lartë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
E para që u pyet nga prokurorët e çështjes, është Arta Dollani, drejtoreshë e AKM-së, si dhe disa nga drejtorët e drejtorive, të cilët kanë dhënë shpjegime të detajuara lidhur me kontrollet apo inspektimet që kanë kryer në kompaninë Sokolaj apo atë Kurum.
Po ashtu, burimet thanë për VNA se është pyetur një zyrtare e lartë e Ministrisë së Mjedisit, e cila ka shqyrtuar dokumentacionin për licensimin e kompanisë Sokolaj.
Gjovana Sokolaj, pronare e kompanisë Sokolaj shpk, është pyetur për herë të dytë nga prokurorët, ndërkohë që në krye të herës dëshmia iu mor nga oficerët e policisë.
Sokolaj, sipas burimeve, ka kontaktuar një avokat në Durrës dhe pritet që ditët në vijim të thirret sërish për të dhënë dëshmi.
Kontejnerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme u eksportuan nga Porti i Durrësit për në Tajlandë pa miratimin e vendit pritës. Për këtë arsye, ngarkesa po kthehet mbrapsht për në Shqipëri dhe aktualisht është në afërsi të Egjiptit. Ngarkesa që ndodhet brenda kontejnerëve u gjend pranë kompanisë KURUM në vitin 2023, dhe më pas kompania Sokolaj shpk ia ka shitur kompanisë DS Minerals Doo, me seli në Kroaci, e cila kontrollohet po nga Gjovana Sokolaj.
Prokuroria ndërkohë po vijon hetimet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe transportit të mbetjeve të rrezikshme.