Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ishte sot në Shkollën Profesionale të qytetit të Elbasanit. Por në një moment Rama, bëri një batutë edhe me një nga studentët e kësaj shkolle që i serviri kafenë, të cilin e pyeti nëse ishte nga Gjirokastra pasi i solli kafe vetëm kryeministrit.
“Si të më bëjë mirë? Çfarë jam unë këtu, diversant që të pi kafe vetëm? Nuk ka nevojë për ëmbëlsira, na bëj ndonjë kafe. Nga Gjirokastra jeni ju? Shumë të shtrënguar e paske dorën”,- tha Rama.
Ndërkohë në takimin e zhvilluar Rama tha se qeveria do të marrë masa të forta që bizneset të deklarojnë pagat e plota, gjë që reflektohet më vonë edhe në pensione. Ndërkohë duke u ndalur te rritja e pagave për mësuesit, kreu i qeverisë theksoi se do të ketë rritje tjetër.