Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e emëruar nga kryeministri Edi Rama si drejtuese politike e qarkut të Fierit, e ka nisur punën me goditje të fortë në strukturat e Partisë Socialiste.

Por lëvizja e saj e parë është zhdukja nga skena e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. Një figurë jo e dorës së dytë, pasi Subashi cilësohet si një “elefant” politik i zonës.

Në të gjitha takimet e zhvilluar me strukturat e qarkut, Balluku ka anashkaluar Subashin, duke mos e bërë pjesë të axhendës.

Ky largim i Subashit ra në sy në mbledhjen e Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste të Fierit për ndezjen e motorëve për zgjedhjet e 2025.

Në Asamble morën pjesë të gjithë eksponentët e zonës me përjashtim të kryebashkiakut Subashi.

Burime  raportojnë se marrëdhëniet mes Ballukut dhe Subashit janë të ftohta. Madje zëra pranë numrit dy të qeverisë kanë nisur të përhapin lajmin se Subashi do largohet edhe nga Bashkia e Fierit përpara përfundimit të mandatit.

Nuk dihet nëse ky largim do të vijë si pasojë e ndonjë dosjeje në SPAK, apo nëse Subashi nuk hyn më në listën e të preferuarve të dyshes Rama-Balluku.