Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, nuk ngushëlloi familjen e Afrim Bunjakut, por “vrapoi për të ndihmuar vëllain e tij, presidentin serb Aleksandër Vuçiç”.
“Rama nuk ngushëlloi familjen Bunjaku, por vrapoi të kërkojë konferencën ndërkombëtare me praninë ruse për të ndihmuar vëllain Vuçiç”, u shpreh Berisha.
Në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, Berisha është shprehur se, “skenari i ‘Shtetit Bektashi’ është një sulm jo vetëm ndaj besimeve fetare, por edhe ndaj myslimanëve shqiptarë që njëlloj si besimtarët e tjerë i luten një Zoti”.
“Bektashinjtë ishin rilindësit e mëdhenj, rilindësit gjenialë që shkruan dhe mbrojtën doktrinën e shqiptarësisë”, tha Berisha.
Duke u ndaluar te propozimi i kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, Berisha u shpreh se “propozimi i Ramës për shtetin e ri është një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit, Kushtetutës dhe besimtarëve shqiptarë”.
Berisha paralajmëroi Ramën se “asnjë projekt ogurzi për shqiptarët nuk do ta shpëtojë. Shqipëria ka qenë dhe do mbetet vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare. Ndaj le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty”.