Rreth 200 mijë euro janë grabitur mesditën e sotme në zonën e ish-Bllokut.
Një taksist kishte marrë para nga një pikë “exchange” në Tiranë, të cilat do i dërgonte në një bankë, por në momentin që i ka marrë paratë nga pika e këmbimit valutor, dy persona i janë afruar tek makina dhe i kanë thyer xhamin e pasmë.
Ata i kanë marrë paratë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e Komisariatit nr.2 po marrin në pyetje pronarët e “exchange”-it dhe shoferin e taksisë për të zbardhur ngjarjen.
Hetuesit dyshojnë se dy grabitësit kanë pasur informatorë dhe kanë mësuar me detaje lëvizjet e taksistit për të bërë edhe vjedhjen e parave.
Grupi hetimor po ashtu, po mbledh edhe kamerat e sigurisë së zonës, për të zbuluar më shumë lidhur me rrugën që kanë zgjedhur autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. /Gazeta Jonë