Sot në GJKKO po mbahet seanca ndaj Leonard Dukës, i akuzuar për organizimin e vrasjes së Santiago Malkos. I njohur si “Princ Damian”, ai po ju përgjigjet pyetjeve të prokurorit Behar Dibra mbi ngjarjen e ndodhur më 27 gusht 2019. Ndonëse njihej me Malkon prej shumë vitesh, deklaroi se vrasjen e kishte mësuar pasi ishte shoqëruar nga policia, teksa pranoi se me Malkon kishin një shok të përbashkët, Ervis Martinaj.

“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokal te biznesi im, në orën 10 mbylla lokalin, duke ikur për në shtëpi më shoqëroi policia. Si çdo ditë tjetër kemi ngrëne drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën. Isha me vëllain, Ervin Dukën në makinë, bëri shenjë policia dhe shkuam në polici.

Ku e dija unë kush kishte vdekur, aty e mora vesh. Kam qenë para shumë vitesh me të ndjerin, kemi pasur shoqëri të përbashkët. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive më shpallën në kërkim. Nuk e di pse jam këtu”, mësohet të ketë thënë Duka.

Ai ka deklaruar se ishte njohur 15 vite më parë me Malkon dhe ka mohuar pronësinë mbi makinën e dyshuar.“

15 vjet më parë ndodhi njohja jonë. Para 15 vitesh kam qenë në shkollë, vërdallë. Nga shoqëria e përbashkët na ka ra me e njoh se Shqipëria e vogël është. Jemi nga një zonë, unë jetoja në Fresk, ai në lagjen tjetër.

Po të citoj gjithë emrat e lagjes janë 200 veta. Gjithë zonën e njoh, të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Më pyet për ngjarjen jo për lokalin. Ça lidhje ka kjo? Në 2019 kisha një lloto futbolli, Max Lloto e kisha në pronësi.

E kam pas të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Administratorët e pikave që ishin nëpër Shqipëri, ishim për darkë. Kur u ngritëm, ikëm të gjithë, nuk e di me çfarë kanë ardhur ata aty. Unë kam qenë me Audi-n, nuk e di për makina të tjera. Volkswagen nuk e di fare, nuk merrem me makinat që ishin aty, unë kam pasur makinën time”, tha ai.

Më 2 gusht 2024 Leonard Duka, i vetëquajtur “Princi Damian” u esktradua nga Belgjika, pas shpalljes në kërkim si kreu i grupit kriminal që ka urdhëruar vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko dhe jo vetëm.

Ai ra në pranga në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.

Duka akuzohet për 5 vepra penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.