Qeveria shqiptare ka pranuar për herë të parë abuzimin me fondet e BE-së për bujqësinë, nëpërmjet programit IPARD II.
Në një dokument të dalë nga Ministria e Financave shkrihet se fondet janë dhënë me “mashtrime dhe konflikt interesi”.
Në fakt, këto nuk janë shkelje administrative, por vepra të mirëfillta penale, të cilat duhet të hetohen nga organet ligjzbatuese.
Por, çfarë po bën qeveria?!
VoxNews ka mësuar se Ministria e Financave ka hapur një tender për të “hetuar” veten, ose më saktë Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, një agjenci në varësi direkte nga qeveria.
Kjo agjenci ka pasur në dorë dhjetëra miliona euro, të cilat shkuan te biznesmenë dhe politikanë, me arsyetimin se do zhvillonin bujqësinë.
Përfitues kanë qenë edhe nga bota e krimit, çka solli që BE-ja të ndalojë vijimin e mëtejshëm të programit, duke ngrirë dhjetëra miliona euro të tjera që do të shkonin për bujqësinë shqiptare.
Disa ditë më parë, Ministria e Financave hapi tenderin me objekt “auditim i jashtëm (auditimi forensic) për të vlerësuar zbatimin e Programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri”.
Bëhet fjalë për të “hetuar” një nga abuzimet më të mëdha që ka ndodhur në Shqipëri, ku fondet e BE-së shkuan me mashtrime dhe konflikt interesi te disa individë të lidhur me pushtetin.
Fondi limit i këtij tenderi është 37.227.990 lekë ose 377.221 euro.
Mësohet se kohëzgjatja e kontratës është 165 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës. “Kërkohet draft brenda 15 ditëve kalendarike nga nënshkrimi i kontratës.
Komentet nga autoriteti kontraktor brenda 10 ditëve kalendarike. Kërkohet raporti me gjetjet dhe opinionin” thuhet në këto dokumente.
Sipas tyre, drafti duhet t’i dorëzohet zv.Ministres së Financave.
“Raportet do të hartohen në gjuhen shqipe dhe anglisht dhe duhet të dorëzohen në 4 kopje (kopje të shtypura) dhe një kopje në versionin elektronik (MS Word Format). Është e rëndësishme që ekipi i audituesve të mbajë kontakte dhe bashkëpunim të ngushtë me ZKA. ZKA duhet të informohet për ecurinë e auditimit. Kontraktori duhet të hartojë një draft-raport, me rezultate të qarta dhe koncize, dhe një Raport Përfundimtar. Raportet duhet t’i dorëzohen Zyrtarit Kombëtar Autorizues. Të gjitha dokumentet duhet t’i drejtohen ZKA-së, znj. ADELA XHEMALI, zëvendësministër i Financave” thuhet në këto dokumente.
Po, nëse ka shkelje, që pranohen edhe vetë nga qeveria, përse duhet t’i dorëzohen kësaj zyrtareje dhe jo një organi ligj zbatues?
Raporti i BE-së fliste mjaft qartë se dhjetëra dosje kishin shkelje të mirëfillta. Çfarë pritet të zbulojnë audituesit?
Qeveria nuk i beson BE-së?
Në dokumentet e publikuara nga Ministria e Financave, të siguruara nga VoxNews, thuhet se Shqipëria u akreditua nga Komisioni Evropian për zbatimin e Programit IPARD II me firmosjen e Marrëveshjes së Financimit në Maj të vitit 2018, me një buxhet prej 94.3 milion Euro, prej të cilave 71 milion Euro ishte kontributi i BE dhe 23.3 milion Euro kontributi kombëtar.“Gjatë zbatimit të Programit IPARD II, në shkurt 2021, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kreu një hetim në Agjencinë IPARD, duke marrë 54 dosje nga thirrjet 1 dhe 2. Në Korrik 2023, Komisioni Evropian (DG AGRI) njoftoi autoritetet shqiptare se për shkak të informacionit paraprak të marrë nga OLAF, Komisioni do të ndërpresë përkohësisht rimbursimin e pagesave për Shqipërinë deri në marrjen e masave korrigjuese. Në raport, janë identifikuar disa gjetje me parregullsi serioze, mashtrime, konflikt interesi në disa projekte të financuara nga Programi IPARD II, si dhe mos arritja e AZHBR-së për të identifikuar sinjalet e parregullsive dhe parandalimin tyre” thuhet në këtë dokument. Pra flet mjaft qartë për mashtrime dhe konflikt interesi, madje edhe mos reagim i institucioneve.
“Për këtë qëllim, në rastet kur janë identifikuar parregullsi apo mashtrime gjatë zbatimit të programit, ZKA mund të kërkojë një vlerësim të zbatimit të procedurave nga strukturat përgjegjëse nëpërmjet një auditi të jashtëm të pavarur sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit”, thuhet në dokumente.