Tashmë atentati ndaj Kastriot Elezajt dhe Renaldo Metushit e ka një autor: Denis Tahiri, 23 vjeç, banues në Kamëz. Policia e Tiranës ka zbardhur atentatin që fatmirësisht përfundoi vetëm me plagosjen e 2 personave në zonën e Don Boskos. Një prej autorëve, Denis Tahiri, ka lënë prova në vendin e ngjarjes dhe është zbuluar nga grupi hetimor. Ndaj 23-vjeçari është shpallur në kërkim ndërsa Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj tij.
Si u zbulua Tahiri?
23-vjeçari nga Kamza i kishte hequr makinës targat dhe i kishte vendosur ato të një automjeti që kishte marrë me qira. Numrat e targës ishin kapur nga kamerat e sigurisë, kështu Policia ka zbuluar se kujt mjeti i përkisnin targat. Pasi uniformat blu kanë gjetur zotëruesin e mjetit, ky i fundit i ka treguar se makinën ia kishte dhënë me qira Denis Tahirit.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Tiranë
Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit K. E. dhe R. M., ju informojmë si më poshtë: Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori. Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.
Pritet që hetimet të zbulojnë edhe të përfshirët e tjerë në ngjarje.
Plagosja e dyfishtë në Don Bosko ndodhi në datën 3 Shtator. 3 persona që dyshohet se kanë qenë të maskuar, qëlluan me armë zjarri drejt një lokali ku po konsumonin kafe, Kastriot Elezaj dhe Ronaldo Metushi. Të dy mbetën të plagosur jashtë rrezikut për jetën. Autorët dogjën makinën pas ngjarjes në zonën e Kazmës.
Pista kryesore e hetimit, ishte e shkuara e Elezajt, i skeduar dhe dënuar për disa vepra penale, përfshirë dhe prostitucionin. Elezaj, pas atentatit, deklaroi se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk mundi të identifikojë autorët e sulmit, ndërsa Metushi pohoi se kishte dalë për të pirë kafe me Elezin në lokalin ku kishte punuar më parë.