Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dyshohen nga SPAK se nuk kanë deklaruar llogari bankare apo shpenzime të ndryshme dhe sipas prokurorisë këtë e kanë bërë qëllimisht, pasi nuk justifikonin burimin e të ardhurave.
SPAK thotë se “lidhur me deklarimin e llogarive bankare, të dy subjektet e deklarimit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi rezulton se nuk kanë deklaruar llogarinë dy emërore në emër të Fatime Kryemadhit nënës së deputetet dhe vajzës së madhe të ciftit”. Sipas prokurorisë paratë e vendosura në këtë llogari, dyshohet se janë produkt i veprës penale të korrupsionit.
“Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar në ILDKPI shpenzimet mjekësore të kryera për periudhën 2013-2019 në vlerën 106 mijë euro nga të cilat 86 mijë euro janë paguar cash”, thekson SPAK.
Ilir Meta ish-president po mbahet në paraburgim nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash e deklarim të rremë. Për të njëjtat akuza po hetohet nën masën e detyrimit për paraqitje edhe deputetja e PL-së Monika Kryemadhi. /Gazeta Jonë