Policia spanjolle ka vendosur në pranga një 43-vjeçar shqiptar, i cili mund të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e Bledar Muçës në Aartselaar të Belgjikës. Sipas mediave belge, shqiptari i identifikuar vetëm si Marsel D. akuzohet për vrasjen e ndodhur në vitin 2022 të Muçës.
Policia spanjolle ka mundur të përgjojë 43-vjeçarin Marsel D. në aeroportin e Valencias të premten. Kjo pasi autoritetet kishin informacione se një person i kërkuar nga Belgjika do të mbërrinte me një fluturim nga Shqipëria. Pas uljes, ai tentoi të kalonte kontrollin e pasaportës me dokumente false, në bazë të gjurmëve të gishtërinjve, ai u identifikua.
Kush ishte Bledar Muça?
Bledar Muça, 39-vjeçari me origjinë nga Peshkopia, lindur e rritur në Elbasan që u ekzekutua në Anverse të Belgjikës rezulton të jetë një prej emrave që ka mbushur faqet e kronikës së zezë që nga viti 2009. I njohur si krahu i djathtë i Çapjave por edhe me nofkën “Anglezi”, Muça rezulton të jetë përfshirë në shumë ngjarje kriminale, një prej tyre edhe ndaj uniformave të Policisë së Shtetit. Për herë të fundit që Bledar Muça u vu në pranga ishte në maj të vitit 2020 pasi aksidentoi një efektiv policie. Në vitin 2016, ai u ka shpëtuar dy atentateve, konkretisht në muajt shkurt e qershor.
Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje më 30 Dhjetor të vitit 2011, ai u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policies Ilir Rexhepi që njihej me pseudonimin “Doda”. Muça, me anë të një letre, e njoftoi policinë se nuk kishte gisht me vrasjen, pasi atë ditë ai kishte qenë në Angli. Në vitin 2013, ai u rikthye për tu përballur me drejtësinë dhe policia e prokuroria e pushuan çështjen kundër tij.
Ai u vra në vitin 2022 nga dy persona që e prisnin dhe e qëlluan për vdekje në momentin kur ai u kthye në banesën e tij.
Nuk dihet ende se cili ishte roli i Marsel D., i cili tashmë është arrestuar, në këtë vrasje. Sipas mediave spanjolle, ai dyshohet se u ka dhënë vrasësve informacione për Muçën. D. u burgos në Spanjë në pritje të ekstradimit të tij të mundshëm drejt vendit tonë. Aktualisht për vrasjen një person është arrestuar. Bëhet fjalë për një tjetër shqiptar të identifikuar si Sergej H., i cili u arrestua në pranverën e vitit 2022. Një i afërm i tij është tashmë i dënuar në Shqipëri pasi në vitin 2019 tentoi që të vriste Muçën dhe Florenc Çapjën.