Në Portin e Limionit në Sarandë kanë nisur punimet për ndërtimin e një marine detare private, megjithëse e gjitha baza detare që është dhënë me koncesion konsorciumit “Marina Bay Saranda” është vendosur nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme, në vijim të hetimeve që po kryen SPAK-u për “shpërdorim detyre” nga zyrtarët e lartë të Forcave të Armatosura.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka publikuar në rrjete sociale disa foto, në të cilat dallohen mjete të rënda që po mbushin territorin me zhavorr dhe inerte.
Meçollari shkruan gjithashtu se Policia e Sarandës ka referuar në Prokurorinë e qytetit materiale për “hedhjen e inerteve në det”. Ndërkohë që, në postimin e tij, ai ka përmendur reagimin e kompanisë koncesionare, në të cilin thuhet se: “Jemi me leje të firmosur dhe vulosur nga Edi Rama. Në këtë zonë po ndërtojmë një port turistik dhe shërbimesh, duke ndjekur të gjitha procedurat përkatëse”.
Leje e Edi Ramës
Faktet e publikuara nga ish-ushtaraku i lartë Meçollari dëshmojnë për qasjen injoruese që ka kryeministri Edi Rama ndaj vendimeve gjyqësore, aq më tepër të Gjykatës së Posaçme, e cila konsiderohet prej tij dhe partnerëve ndërkombëtarë si “guri i kurorës” së Reformës në Drejtësi.
Në shkurt të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për të vendosur nën sekuestro pasurinë e emërtuar “Baza Ndihmëse Limion, Sarandë”.
Ky vendim u mor në vijim të një kallëzimi të dorëzuar në Mars të vitit 2021 nga ish-drejtuesi i lartë ushtarak, Artur Meçollari.
Në kallëzimin e tij, Meçollari dorëzoi prova dhe fakte, në të cilat provohej, sipas tij, se kontrata koncesionare e nënshkruar në 1 Korrik 2020, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Marina Bay Saranda” është pasojë e veprimeve anti-ligjore të kryera në shpërdorim detyre nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Në vijim të kësaj kontrate, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi në qershor 2021 “lejen e ndërtimit për Portin Turistik Limion”.
E gjithë procedura u përfshi nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, e cila mori lejen e gjykatës për të vendosur nën sekuestro projektin dhe bazën, duke mos lejuar zhvillimin e punimeve deri në përfundim të hetimeve.
Kompania koncesionare e ankimoi vendimin në Apelin e Posaçëm dhe më pas edhe në Gjykatën e Lartë. Në të dyja rastet u la në fuqi vendimi i sekuestros.
Ndërkohë, kërkesa për heqjen e sekuestros është paraqitur para Gjykatës Kushtetuese. Në 29 Tetor u zhvillua seanca e parë dhe ajo u shty për në një datë tjetër, e cila ende nuk rezulton të jetë e caktuar sipas të dhënave të konsultuara në faqen e internetit të Gjykatës.
Por, megjithëse punimet në Bazën e Limionit duhet të ishin të pezulluara, për shkak të vendimit gjyqësor të sekuestros, kompania rezulton të shtrojë inerte, “sipas lejes së Edi Ramës”.
Koncesioni i dyshimtë
Historia e koncesionit të Portit të Limionit nis me një propozim të pakërkuar të “Kastrati” shpk dhe “Concord Investment”, drejtuar Ministrisë së Financave, për marrjen me qira 1 euro, me qëllim ndërtimin e një Porti turistik në Limion të Sarandës.
Në 11 qershor 2020, Ministria e Financave i përcjell Ministrisë së Mbrojtjes kërkesën për prononcim mbi këtë kërkesë, duke qenë se një pjesë e pasurisë ishte e regjistruar për llogari të Forcave të Armatosura.
Sipas dokumentacionit, investitori shprehet i gatshëm që të mos cënojë aspektet operacionale të Forcave të Armatosura dhe merr përsipër “pro buono” ndërtimin përkundrejt pagesës pa kosto për shtetin të një bankine të re për ankorimin e anijeve të Forcave të Armatosura dhe ambienteve të tjera mbështetëse në ndihmë të saj, sipas nevojave të Forcës Detare.
Ministria e Mbrojtjes e përcjellë kërkesën për mendim tek Shtabi i Përgjithshëm dhe ky i fundit tek Komanda e Forcës Detare, si menaxhuesja e Portit të Limionit.
Në 17 qershor, Forca Detare shprehet kundër dhënies me qira tek subjektet private të bazës ndihmëse në Limion, duke risjellë në vëmendje edhe qëndrimet e mbajtura prej saj më herët, në janar 2020. Sipas Forcës Detare, baza është e rëndësishme për veprime operacionale.
Një ditë më pas, në 18 qershor 2020, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili në atë kohë ishte Bajram Begaj, dërgon sërish një shkresë tjetër tek Forca Detare, ku kërkohej të sqarohej më qartësisht nëse prona me numër pasurie 696 ishte pjesë e Planit të Vendosjes dhe Përhapkes, si edhe nëse cënohej operacionaliteti ushtarak nëse jepej me qira.
Por, siç rezulton nga dokumentat, para se të merrte përgjigje për kërkesën e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në 17 qershor 2020, shpreh dakordësinë për kërkesën e ardhur nga Ministria e Financave.
Hetimi penal konfirmoi se shkresa e Shefit të Shtabit Përgjithshëm, datë 17 qershor 2020, “niset në Ministri përpara se të administrohet përgjigja e Komandës së Forcës Detare, pra, pa e patur të qartë nëse ky organ jep dakordësinë e tij, organ i cili në këndvështrim të ligjit është organi që ka në varësi administrative, pikërisht pronën nr. 696, e cila ndodhet në Plan Vendosje dhe Përhapje dhe që ushtron aktivitetin e tij operacional”. /boldnews