Komisioni i Prokurimit Publik është përfshirë në një aventurë të padëgjuar më parë, teksa refuzon zbatimin e vendimit të formës së prerë nga Gjykata Administrative për shpalljen e fituesit në tenderin më vlerë 3.3 milionë euro për rindërtimin e Spitalit të Dibrës.
Jonaid Myzyri, kreu i KPP me sa duket këtë herë është ekspozuar publikisht për të shpallur fitues ish punëdhënësin e tij, kompaninë Alko Impex General Construction edhe pse gjykata ka vendosur ndryshe. Sherri i paprecedentë, që po mban për gati një vit e gjysmë peng rindërtimin e Spitalit ka përfunduar me përmbarues, teksa KPP refuzon zbatimin e vendimit e formës së prerë të të gjykatës.
Tenderi
Tenderi 3.2 milioë euro për rindërtimin e spitalit të Dibrës u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. Në garë u paraqitën 10 oferta dhe Autoriteti Kontraktor shpalli fituese bashkimin e kompanive Rafin Company dhe Udha me ofërtë 2.9 milionë euro.
Por ky vendim i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u ankimua nga kompania Alko Impex e Arbër Abazit në Komisionin e Prokurimeve Publike. Përmes një vendimi në mars të këtij viti Komisioni i Prokurimit pranoi pjesërisht ankesën e kompanisë Alko Impex duke urdhëruar Spitalin e Dibrës që të anullojë tenderin dhe ta rrishpallë sërish atë.
Por bashkimi i dy kompanive të shpallura fituese e ka ankimuar vendimin e KPP-së në gjykatë. Gjykata Administrative e Apelit në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje me anë të vendimit nr. 68 (86-2014-1541) datë 22.07.2024 vendosi të rrëzojë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik duke detyruar Spitalin e Dibrës që të vazhdojë procedurat e tenderit dhe të lidhë kontratën me dy kompanitë e shpallura fituese.
Por ndonëse vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim, përmes një akti të papreçedentë KPP ka urdhëruar Spitalin e Dibrës që të pezullojë zbatimin e vendimit të Gjykatës. Saga ka vazhduar prej disa muajsh, derisa në lojë ka hyrë përmbarimi, i cili fillimisht ka lajmëruar Spitalin e Dibrës për ekzekutim vullnetar të vendimit të gjykatës.
Por KPP e ka ndaluar sërish spitalin që të lidhë kontratën. Më pas përmbaruesi ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm.
Dashuria Myzyri-Alko Impex
Jonaid Myzyri është një ish punonjës i Alko Impex. Përpara se të emërohej në krye të Komisionit të Prokurimit Publik, ai ka qenë juristi i kompanisë së Arbër Abazit. Përgjatë viteve që ka shërbyer në KPP, Myzyri ka marrë një sërë vendimesh në favor të ish punëdhënësit të tij. Kjo ka ngritur jo pak dyshime në media për lidhjen mes kreut të KPP-së dhe kompanisë Alko.
Por deri më sot, Myzyri nuk ishte ekspozuar asnjëherë ka shumë për të favorizuar ish punëdhënësin e tij, deri në pikën që të refuzojë zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, i cili është i detyrueshëm më ligj.
Saga e tenderit të Spitalit të Dibrës ngre dyshime të mëdha për integritetin e Komisionit të Prokurimit Publik, i cili është autoriteti më i lartë hierarkik administrativ në konfliktet e tenderave.
Por dëshira e Myzyrit për ta çuar tenderin tek ish punëdhënësi i tij, deri tani u ka kushtuar qytetarëve të Dibrës një kosto shumë të lartë. Atë të mbajtjes peng për gati 1 vit e gjysmë të investimit për rindërtimin e Spitalit të tyre, i cili sipas afateve të tenderit tani duhet të ishte në përfundim./kapitali.al