Spitali i Traumës ka reaguar lidhur me aludimet se ka pasur mungesë shërbimi ndaj 14 vjeçarit të plagosur tek shkolla ‘Fan Noli’, shoku i Martin Canit, i cili mbeti i vrarë nga goditjet me thikë.
Spitali i Traumës thotë se adoleshenti ka marrë mbështetje psikologjike nga psikologët përveç kujdesit mjekësor.
Fillimisht 14 vjeçari ka filluar trajtimin fizioterapik, ndërsa tani gjendja është e mirë.
I ati i të plagosurit hapi një llogari në GoFound Me ku kërkonte 80 mijë euro për trajtimin e djalit të tij.
Por Spitali thotë se gjithçka ka shkuar mirë për adoleshentin.
Reagimi i spitalit:
‘Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:
Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.
Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive.
Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.