Një shqiptar i dënuar 13 vite më parë për vrasje është prangosur në Angli pasi vendfshehja e tij u zbulua nga Interpol Tirana dhe Drejtoria për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit. Pëllumb Lleshi i dënuar me 13 vite burg në mungesë është prangosur për qëllim ekstradimi në Shqipëri në zonën e Kent në Jug të Anglisë.

Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve parë nga Top Channel ai kërkohet nga Greqia dhe Shqipëria për të njëjtat akuza. Plagosje me shkaktim vdekjen dhe vrasje. Në mars 2011, Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor pesë të arrestuarit e akuzuar për vrasjen e emigrantit shqiptar Bilbil Hila ndodhur në vitin 2003 në Greqi.

Ky vendim u mor pasi prokuroria e Elbasanit kishte nisur procedimin penal kundër të pandehurve Kasem Vrapi, Atmirant Dragoti, Ilia Pire, Eduart Pepa dhe Pëllumb Lleshi. Atë Kohë prokurori Elvin Gokaj tha se ky procedim penal nisi mbi bazën e kallëzimit të të atit të viktimës Bajram Hila me banim në fshatin Katund i Ri –Elbasan, i cili i paditi pesë të pandehurit për vrasjen e të birit Bilbil Hila në 24 nëntor të vitit 2003, një vrasje e ndodhur në vendin e quajtur “Anaviso” në Greqi.

Sipas organit të akuzës të pandehurit Kasem Vrapi, Atmirant Dragoti, Ilia Pire, Eduart Pepa dhe Pëllumb Lleshi në bashkëpunim kanë goditur e masakruar me mjete të ftohta si shufra druri, kaçavida, shufra hekuri etj., viktimën Bilbil Hila duke i shkaktuar vdekjen.

Gjykata e Elbasanit në seancën e datës 02.03.2011 vendosi deklarimin fajtor të të pandehurve duke i dënuar ata për konsumim të veprës penale të vrasjes me paramendim.

Gjykata e Elbasanit dënoi me 20 vjet burg Kasem Vrapin; me 19 vite burg Pëllumb Lleshin; me 18 vjet burg Eduart Dragotin; me 17 vite burgim Ilia Piren dhe 16 vjet Eduart Pepën, për vrasjen me paramendim Bilbil Hilës të kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorisë kjo çështje kishte patur vështirësi në marrjen e provave nga shteti grek, nga numri i madh i të pandehurve të dënuar për një vrasje dhe pranimi i kërkesave të prokurorisë për fajësi dhe masë dënimi nga gjykata.