Klajdi Merkaj, personi më i besuar i vëllezërve Çopja, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë për llogari të Prokurorisë së Posaçme.

Merkaj fillimisht u ndalua në Romë më 16 Tetor të këtij viti, ku menjëherë pas arrestimit “Interpol Tirana” nisi procedurat për ekstradimin.

Ndaj tij GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Klajdi Merkaj, sipas komunikimeve në aplikacionin “Sky” rezulton të ketë mbajtur komunikim të ngushtë me vëllezërit në Dubai, Hajdar dhe Franc Çopja.

Ky i fundit në shumë raste dërgonte eurot me valixhe me rrota nga Londra dhe vende të tjera të Evropës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj.

Këto para investoheshin për qiratë e bizneseve që organizata kishte në Tiranë, në punimet për ndërtimin e komplekseve rezidenciale në Tiranë si dhe në blerjen e trojeve.

SPAK, deri në këtë fazë ka zbuluar se në emër të Klajdi Merkaj është e regjistruar kompania “Merkaj Invest”. Kjo pasuri është themeluar në 10 shkurt 2022 me seli në rrugën “Papa Gjon Pali II” dhe ka si aktivitet fushën e ndërtimit të të gjitha llojeve duke përfshirë, ndërtimet për qëllime banimi.

Ndërsa një tjetër pasuri me emrin “Merkaj 3” është hapur fillimisht në vitin 2013 nga Klajdi Merkaj. Kjo shoqëri ka ndërtuar rezidencën e banimit “Mandarine Drive” në zonën e Lundrës, në Tiranë.

Kompania është hapur fillimisht nga Klajdi por në dhjetor 2017, ai ka vendosur t’ia shesë kompaninë e ndërtimit vëllait binjak, Endri Merkaj, për vetëm 120 mijë lekë të vjetra. Një kontratë kjo e nënshkruar privatisht dhe jo para noterit.

Gjithashtu, SPAK po heton 3 vëllezërit Merkaj mbi investimet që ata janë duke kryer në qytetin e Sarandës, pasi ka indicie të forta se në këtë zonë ata po hetojnë një hotel.

Në skaner janë vënë dhjetëra llogari bankare dhe transaksione të dyshimta, të cilat aktualisht po analizohen nga SPAK.