Një sasi lënde plasëse shpërtheu dje në një apartament në katin e 9 të një pallati në Tiranë.
Shpërthimi ndodhi në ballkonin e banesës dhe dyshimet janë se tritoli u hodh me anë të një droni,
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:45 në rrugën “Sadik Petrela”.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar por vetëm dëme materiale.
Ndonëse policia thotë se në banesë nuk ka patur njeri, dyshimet janë se në momentin kur ka ndodhur ngjarja, personat që kanë qenë në apartament janë larguar.
Dyshimet e policisë së lënda plasëse është hedhur me dron vjen për shkak se banesa ndodhej në katin e 9.
Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që tritoli të ketë qenë lënë në ballkon nga personat që kishin në përdorim shtëpinë dhe shpërthimi të ketë ndodhur aksidentalisht.
Ky dyshim vjen për shkak se hetuesit kanë mësuar se banesa e marrë me qira nga Elena Arza që frekuentohej nga Bernard Sinomati nga Vlora, një emër i njohur për policinë, ndaj të cilit kanë dështuar disa atentate.
Bernardi është vëllai i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, të ekzekutuar me snajper në Vlorë janarin e 2024.