Hiwlen Ledezma Narvaez, 41-vjeçari kolumbian, i arrestuar në nëntor të vitit 2024, si pjesë e laboratorit të drogës në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, është një person i kërkuar nga autoritetet amerikane, pasi ka qenë pjesëmarrës në një operacion trafikimi të 1 ton kokainë nga Kolumbia drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai u arrestua në mes të nëntorit, pasi një hetim i drejtuar nga prokurori i posaçëm, Adnan Xholi, zbuloi një grup personash, të cilët dyshohet se kanë ngritur infrastrukturën për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, nëpërmjet ngarkesave me lëkurë gjedhës, si edhe ekstraktimin e përpunimin e lëndër narkotike në vendin tonë.

Gjatë atij operacioni, së bashku me kolumbanin Ledezma, u arrestuan shqiptarët Geis Fejzullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi, si edhe venezuelianët Joze Ramon Zacarias Vasques dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano.

Pas arrestimit të tyre, autoritetet amerikane kanë përcjellë pranë homologëve të tyre shqiptarë kërkesën për ekstradimin e Hiwlen Ledezma Narvaez, të cilin e kanë shpallur në kërkim për trafik narkotikësh.

Për këtë person, Gjykata e Distriktit Jugor Florida në Sh.B.A ka nxjerrë urdhër arresti në shkurt të vitit 2023, si i dyshuar për kryerjen veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike në grup të organizuar kriminal, e pastrim parash”.

Akuzat amerikane

Në dokumentat e dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, autoritetet amerikane i ngarkojnë kolumbanit Ledezma disa fakte penale.

Ai dyshohet se, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Franco Arieta, kanë bashkëpunuar për të eksportuar nga Kolumbia drejt SHBA një sasi prej 1000 kg lëndë narkotike kokainë. Fillimisht, në maj 2022, ata i kanë shitur dy personave një sasi prej 7 kilogramë kokainë, me qëllim testimin rrugës së importimit të sasisë prej 1 toni kokainë më vonë.

Në qershor, dy “blerësit” janë takuar sërish me Ledezman në Cali të Kolumbisë, me qëllim për diskutuar mënyra e pastrimit të të ardhurave që do të siguroheshin nga trafikimi 1 tonë kokainë nga Kolumbia drejt Sh.B.A-ve.

Më pas, Ledezma dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kërkuar nga “blerësit” që të dorëzonin paraprakisht shumën prej 100.000 mije dollarë për sasinë prej 1 tonë kokainë që do të trafikonte drejt Sh.B.A-ve.

Në Gusht 2022, “dy blerësit” morën sërish 54 kilogramë kokain nga Ledezma, Arieta dhe bashkëpunëtorët e tij, në kuadër të “operacionit për trafikimin e 1 ton kokainë drejt Floridas, në SHBA”.

Në shtator, sërish ka pasur një transfertë ngarkese kokaine prej 50 kilogramësh, e cila gjithashtu ishte destinuar për trafikim në SHBA.

Bazuar në këto informacione, autoritetet amerikane e akuzojnë Hiwlen Ledezma Narvaez për të paktën 3 akuza:

  1. Komplot për të trafikuar lëndë narkotike e llojit kokainë me qëllim dhe duke ditur dhe duke pasur shkak të arësyeshem për të besuar se kokaina do të importohej në mënyrë paligjshme”.
  2. “Shpërndarja e pesë kg kokainë ose më shumë kokainë me qëllim, duke ditur dhe pasur parasysh për të besuar se kokaina, do të importohej në mënyrë paligjshme ne Sh.B.A duke ndihmuar dhe nxitur ate vepër”.
  3. Komplot për të kryer një transaksion financiar që prek tregtinë ndërkombëtare dhe të jashtme që përfshin prona, d.m.th. fonde dhe instrumente monetare, duke përfshirë dhe monedhën Dollar.

Arresti në Tiranë

Autoritetet amerikane kanë përcjellë kërkesën për ekstradimin e tij, pas arrestimit në kuadër të operacionit të Prokurorisë së Posaçme.

Në 14 Dhjetor 2024, gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë së kryeqytetit dhe ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për efekt ekstradimi ndaj 41-vjeçarit kolumbian, Hiwlen Ledezma Narvaez. Urdhëri i arrestit i është komunikuar në ambjentet e paraburgimit, ku gjendet për llogari të hetimit të Prokurorisë së Posaçme. /boldnews