Detaje të reja dalim nga hetimet lidhur me shpërthimin e ndodhur pak ditë më parë në Tiranë, në katin e 9-të të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”. Autoritetet kanë vërtetuar se lënda plasëse është hedhur me dron, por nuk ka ende gjurmë të autorëve. Mësohet se mbetjeve të dronit të shpërthyer do t’i bëhet ekspertiva për të zbuluar të tjera detaje.
Në dëshminë para hetuesve, pronari i banesës ka pohuar se apartamentin ia kishte dhënë më qira një çifti, ndërsa ai vetë nuk kishte asnjë konflikt. Ndërkohë Elena Arza, e cila kishte marrë apartamentin me qira që në fund të korrikut, ende nuk i është marrë dëshmia pasi policia nuk ka mundur ta gjejë. Arza mësohet se është bashkëjetuesja e Benard Sinomatit, e cila bashkë me të dyshohet se kanë qenë në banesë në momentin kur ka ndodhur shpërthimi dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Sipas hetimeve të zbuluar është vërtetuar se banesa është dhënë me qira në fundin e korrikut të këtij viti dhe se gjithçka është bërë me anë të dokumentacionit. I zoti i banesës ka thënë se shtëpinë ia ka dhënë një çifti, por në fakt apartamenti i sulmuar me tritol është në emrin e Elena Arza, gruas që sipas të dhënave është më origjinë nga Korça.
Shënjestër dyshohet të ketë qenë Bernard Sinomati, pasi në apartament janë gjetur sendet personale, dokumentet dhe portofoli i tij. Sinomati është objekt i atentateve të ndodhura disa herë në qytetin e Vlorës, por kësaj radhe grupi hetimor ka dyshime që rivalët e kanë gjurmuar edhe në Tiranë.
Kush është Bernard Sinomati?
I riu nga Vlora është një emër shumë i njohur për Policinë e Shtetit, pasi është i arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje, por edhe i dënuar në Belgjikë për trafik droge. Emri i tij u rishfaq në vitin 2022, kur i vendosën tritol mjetit të tij që ishte parkuar pranë një poliklinike të qytetit të Vlorës. Gati një vit më parë, Sinomatit iu vra nipi, Gëzim Sinomati. “Probleme” me ligjin ka edhe vëllai i tij Sokol Sinomati. Emri i tij është bërë i njohur që kur iu bashkua grupit të Gazment Brakës, të njohur gjerësisht si “Gaxhai” e që sot ndodhet pas hekurave, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Të qëndruarit në një rreth të tillë, e përfshiu Sinomatin në ngjarje të rënda kriminale, si vrasje, grabitje, plagosje e rrëmbime. Në vitin 2000, në moshën 27-vjeçare, Sokol Sinomati i njohur dhe me nofkën “Buzderri” tronditi qytetin e Vlorës, duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj Sokol Nuhos. Më 26 qershor të vitit 2002, Armando Sulejmani, i njohur si Çipuri dhe Sokol Sinomati i bënë pritë Elton Tatos dhe Robert Borakut. Sinomati u vendos në burgun e Peqinit nga ku u arratis në vitin 2017. Ai mori leje për të dalë disa ditë nga burgu, dhe më pas në rrethana që nuk sqarohen as sot e kësaj dite u largua jashtë Shqipërie bashkë me të vëllanë Bernard Sinomati e të birin që ishte adoleshent në atë kohë, Gëzim Sinomati.
Në fund të vitit 2022, ai u ekstradua në Tiranë, për ngjarjen e regjistruar në vitin 2002 në Skelë, ku i vrarë mbeti Tato. Ndërkohë që këtë vit përfundoi dënimin, Sinomati u ekstradua në Itali për të përfunduar një dënim në shtetin fqinjë. Ndërkohë që pas të birit, duket se në shënjestër të kundërtarëve është edhe i vëllai i tij. Tashmë, për ta ka edhe një tjetër dosje në Polici.