Skandali me mbetjet toksike të kompanisë Kurum duket se ka marrë një kthesë të tronditshme, pasi zbardhen detaje të reja që tregojnë përpjekjet për të mbuluar një aferë masive korruptive. Prokuroria e Durrësit ishte gati për arrestimin e disa personave të përfshirë, por një ndërhyrje e fuqishme politike e frenoi hetimin, duke i dhënë çështjes një trajtë të dorës së dytë.
Gazetarja Klodiana Lala ka theksuar se ky skandal ka përfshirë jo vetëm kompaninë dhe zyrtarë të lartë, por edhe institucione të tjera shtetërore, si Ministria e Mjedisit dhe Porti i Durrësit, të cilët kishin dijeni për kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme. Pavarësisht sinjalizimeve të qarta dhe një vendimi të prokurorisë për sekuestrimin e anijes, asnjë hap konkret nuk u ndërmor dhe analizat e materialeve po tentohen të manipulohen.
Të gjitha këto veprime janë një shkelje flagrante jo vetëm të ligjeve kombëtare, por edhe të atyre ndërkombëtare, duke i sjellë Shqipërisë pasoja të rënda. Ndërkohë, gjithçka po bëhet që kjo çështje të harrohet, për të mbrojtur ata që qëndrojnë pas kësaj skeme kriminale.
Deklarata e gazetares Lala
Konkretisht, gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se Prokuroria e Durrësit ishte bërë gati për arrestimin e disa personave të përfshirë në aferën me trafikun e mbetjeve të dyshuara si toksike të kompanisë Kurum, por ka patur ndërhyrje në momentet e fundit dhe ata nuk janë ndaluar. “Prokuroria e Durrësit ishte thuajse një hap larg arrestimit të personave të përfshirë në këtë aferë të pastër korruptive, që nuk përfshin vetëm Kurum dhe Sokolaj por edhe institucione, që nga Ministria e Mjedisit, Porti i Durrësit, etj. Është histori e thellë korruptive.
Në pikën kritike kur Prokuroria ishte bërë gati, pati ndikim të pastër politik për ta bërë këtë një çështje të dorës së dytë për të ndikuar hetimit. Një nga zyrtarët e Portit të Durrësit ka informauar me email zyrtar, që po bëhej kontrabandë ose trafik me mbetje që ishin të ndaluara për t’u eksportuar jashtë vendit. Pavarësisht këtij sinjalizimi që kishin dijeni titullarët e Portit, qeveria shqiptare dhe politika shqiptarë është shumë e shqetësuar. Ka brenda grupit të hetimit të interesuar për t’i shkuar deri në fund.
Mbetjet janë dërguar, janë të Kurumit, kompani e mbështetur nga të dyja palët, çfarë bëri? U përpoq të kapë pjesën më të rëndësishme të medias dhe u përpoq të ndikonte te Prokuroria. Asnjë institucion nuk ka dërgur listën me ekspertë dhe nuk janë marrë mostrat për analizat se çfarë ka në kontejner. E vetmja mundësi që mos ndikohet janë ekspertë të huaj dhe analiza jashtë vendit. Nuk janë shkelur vetëm ligje shqiptare por ka histori të shkeljes së ligjeve ndërkombëtare, kjo histori ka pasoja shumë të rënda”, deklaroi Lala në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Deklarata e gazetares Xama
Nga ana tjetër, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV gazetarja Ola Xama u shpreh se mbetjet dyshohen se janë të rrezikshme dhe po tentohen të manipulohen analizat që të dalin që një pjesë nuk janë toksike dhe nëse dalin, faji do t’i lihet laboratorit në Kroaci që ka bërë analizat, ndërsa po bëhet gjithçka që çështja të harrohet. “Më 5 gusht 2023, një njoftim nga Aksioni i Bazelit, një organizatë me bazë në SHBA dha lajmin në “Bloomberg” se anija me 102 konteinerë me lëndë të rrezikshme kishte ikur nga Shqipëria në Tajlandë. Disa media në Shqipëri e botuan.
Pas disa muajsh anija u kthye dhe mbeti në radë edhe pse kishte një vendim të prokurorisë për t’u sekuestruar mbetjet. Mbetjet dyshohen se janë të rrezikshme dhe ka dyshime se po tentohen të manipulohen që analizat të dalin që një pjesë nuk janë toksike dhe nëse dalin, faji do t’i lihet laboratorit në Kroaci që ka bërë analizat. Po bëhet gjithçka që çështja të harrohet. Këtu nuk duhet të harrojmë se si është bërë ngarkesa në portin e Durrësit në terren të hapur, por jemi në Shqipëri, ndryshe do të ishte një çështje e madhe dhe qytetarët do të kërkonin dëmshpërblim”, deklaroi Xama.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”. Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike. BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve.
Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës “Kurum” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët. /gazetajone
Si mafia e plehrave në Durrës i shpëtoi arrestimit, kush po i mbron mbetjet toksike të Kurum ?! Si mafia e plehrave në Durrës i shpëtoi arrestimit, kush po i mbron mbetjet toksike të Kurum ?!