Autoritetet amerikane po vijojnë të mbajnë të bllokuar qarkullimin në shumë zona të Los Angeles i përfshirë nga zjarre masive që kanë shkaktuar deri tani të paktën 10 viktima. Deri tani llogariten mbi 10 mijë ndërtesa të shkrumbuara me dëme që thuhet se kanë arritur në miliarda dollarë. Dy nga 4 vatrat e zjarrit janë ende jashtë kontrollit.
Problem mbeten për autoritetet plaçkitjet në zonat ku është urdhëruar evakuimi i banorëve. Deri tani ka pasur të paktën 20 të arrestuar për vjedhje të banesave dhe bizneseve.
Pamjet satelitore të kompanisë së njohur Maxar tregojnë se si lagje të tëra, disa me shtëpi jashtëzakonisht të shtrenjta janë bërë hi për pak orë.
Shtëpi të djegura ka edhe në Malibu në bregdetin e Paqësorit, që para zjarreve ishte një nga më të bukurat në zonë.