Valbona do të shndërrohet në një destinacion magjik ku tradita, natyra dhe argëtimi bashkohen për të sjellë një përvojë të paharrueshme. Nën emrin “Milky Way – Fli Culture”, në datat 29 dhe 30 janar, ky event unik, i mbështetur nga British Council dhe Ambasada Britanike, fton të gjithë të zbulojnë thellësitë e kulturës shqiptare përmes aktiviteteve të veçanta që do të zhvillohen në këtë zonë të mrekullueshme të Alpeve.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ecin në “Rrugën e Qumështit”, duke vizituar stanet tradicionale, ku do të takojnë barinjtë dhe do të njihen me historitë e tyre, duke përjetuar ritmin autentik të jetës malësore. Aktivitetet përfshijnë edhe një punëtori ku të rinjtë do të mësojnë sekretet e përgatitjes së fli-së nga gratë e zonës, një traditë e trashëguar brez pas brezi, duke i dhënë kësaj eksperience një dimension të veçantë edukativ dhe kulturor.

Por festa nuk përfundon me kaq. Në mes të natyrës së paprekur, DJ Oda Haliti do të krijojë një atmosferë energjike, ku tingujt modernë dhe ato tradicionalë do të përzihen në mënyrë të mrekullueshme.

Rreth zjarrit, pjesëmarrësit do të shijojnë ushqimet tradicionale, do të ndajnë legjenda të vjetra të Tropojës dhe do të ndjejnë lidhjen me kulturën shqiptare si asnjëherë më parë.

Ky event ofron gjithashtu aktivitete për të rinjtë dhe fëmijët, duke përfshirë prezantime mbi turizmin dhe mikpritjen, lojëra interaktive si dhe trajnim gastronomik për të thelluar aftësitë në gatimin tradicional.