Aktivistja Rezarta Çaushaj ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka kritikuar ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim. Në mesazhin e saj, Çaushaj akuzon Kim-in për dështimin e detyrave të ngarkuara nga Departamenti i Shtetit dhe për lidhjet e saj të afërta me qeverinë shqiptare.

“Rrotullohet toka dhe i vjen momenti edhe Yuri Kim-it, që e ktheu Ambasadën Amerikane në zëdhënësen e shtypit të Ramës,” shkruan ajo. Sipas saj, ambasadorja nuk i ka përmbushur detyrat e saj me integritet, duke shtuar se “veset nuk dalin kollaj”.

Në postimin e saj, Çaushaj nuk kursen as kritikat për heshtjen mbi raste të bujshme, si ajo e Azbi Spahiut pas arrestimit të Martin Manes, dhe për mediat që, sipas saj, janë të kapura nga tenderat publikë.

“Do të vijë koha edhe për ata që inskenuan një teatër, që ngjarja të harrohej. Sepse bota rrotullohet dhe, edhe sikur të mos ketë drejtësi njerëzore, ekziston drejtësia e veseve,” thekson ajo në mesazhin e saj të fortë.

Në përmbyllje, aktivistja lëshon një paralajmërim simbolik: “Veset tona janë fati ynë! Edhe veset e tyre do të jenë fundi i tyre.”/gazetajone