Dalin e-mailet e bandës së mikrokredive, ‘shtrigat’ e vogla të MCA, cili ishte roli i punonjeseve Ana Marku, Orjola Karaj , Erjona Qerkezi , Ivana Shahini , Esmeralda Lleshi , Kejda Beshiri and Co
Nga burime të SPAK mësohet se Edvin Kondili është prokurori që ka marrë në duar çështjen e shumëpërfolur të mikrokredive, çështje që u transferua nga Prokuroria e Tiranës për te Prokuroria e Posaçme. Tre prokurorë të Tiranës, me në krye Antoneta Sevdarin, prokuroren e shkarkuar nga dy shkallët e vetingut dhe të rikthyer në detyrë nga Gjykata e Strasburgut, pasi hetuan “hetimin” 4-vjeçar për mikrokreditë, zbuluan se ato ishin një organizatë kriminale e përbërë dhe jo thjesht ca kriminelë të rëndomtë.
Një emision televiziv i ditëve të fundit, me dy puntata tregoi detaje të dosjes hetimore, që nuk dihet nga e ka burimin, nga prokurorët që e transferuan apo ai që e mori. Megjithatë, të dhënat e reportazhit të 10-të për mikrokreditë ishin tronditëse. Hetimi i prokurorëve nxorri një fytyrë tjetër të banditëve të MCA dhe satelitëve të saj, të njerëzve që punonin në zyrat e saj, cinizmin ekstrem dhe ftohtësinë me të cilën ekzekutohej operacioni i zhvatjes së mijëra njerëzve. Si iu merreshin pronat, si ju bllokohej llogaria, si detyroheshin të merrnin kredi të tjera për të shlyer kreditë e mëparshme.
Ankandet fiktive, skemat si u zhvatën pronat dhe paratë e qytetarëve nga mafia e mikrokredive
Truri drejtues del në hetim se është Olsi Ibro. Ky personazh, që mbeti enigmatik për shkak se nuk jeton më, e drejtonte makinerinë e mashtrimit me saktësi kirurgjikale, i ndihmuar nga databaza që nuk u gjet dhe një numër “skllavesh” që në këtë rast nuk ishin skllave seksi, por që zbatonin detyrat e tij me përpikëri.
E-mailet e kapura nga prokuroria janë tronditëse nëse i lexon të fiksuara dhe jo vetëm në një reportazh televiziv.
Këto email-e në dukje të parëndësishme janë komentuar nga ish-punonjëse të larguara të MCA, të cilat e njohin mire aktivitetin e MCA dhe kanë treguar detaje për redaksinë. E.I. identifikon çdo emër punonjëseje që fshihet pas email-eve dhe shumë të tjera. Ajo tregon për vajzat që “e dinin mirë çfarë bënin dhe s’kishin mëshirë për askënd… ato zgjidheshin të tilla nga Olsi dhe Arbeni në intervista të veçanta.”
“Ana Marku, financierja besnike e Elda Ibros, di çdo detaj financiar të skemës. Asaj i besoheshin shumë detyra. Orjola Karaj ishte “llogaritarja” e Olsit, Erjona Qerkezime nofkën “rrobaqepësja”, Ivana Shahini punonte llogari të Final, Esmeralda Lleshi për MCA, Kejda Beshiri për Consulting Company me pronar Bledi Sena, ky një ushtar besnik i Olsi Ibros që bashkë me gruan e vet drejtonin 20 punonjëse brenda zyrave të MCA, por policia kur erdhi nuk i preku dhe plot të tjera…Sonila Topalli ishte e ADCA, Meri Shyti, Ambra Xhebrahimi, Sara Tagani të MCA mernin urdhra nga Olsi…Të gjitha vajzat ishin përpunuar mirë që skema të shkonte ashtu si ishin porositur. Loja fillonte që te roja te dera dhe vazhdonte zinxhir brenda” – tregon dëshmitarja që nuk do t’i afrohet hetuesve se thotë: “S’kam besim se ata do zbulojnë të vërtetën. I gjithë shteti është përfshirë dhe ne e kemi parë me sy kur vinin dhe iknin prapë… Prokuroria nuk ka prekur emra që kanë lidhje me gjykatën.”
Një email i bujshëm që ka dalë nga dosja hetimore në rrethet e gazetarëve është ai i 11 janarit 2024, kur çdo gjë ishte në fokusin mediatik. Olsi Ibro vazhdonte skemën i qetë, pa u shqetësuar fare, madje duke u tallur me ushtarin e tij, përmbaruesin A. V. Ai e quan “krupier” përmbaruesin V., ashtu si gjithë të tjerët që i përdor në “kazinonë” e tij. Bashkëpunëtorë në këtë komunikim sarkastik janë Arben Meskuti dhe Alketa Tanushi, të dy shoqërues të hershëm të Olsi Ibros dhe gruas së tij pronare me letra e MCA.
Degradimi deri në shthurje të plotë i gjithë zinxhirit të kontrollit shtetëror, duke lejuar këtë skemë mashtrimi që do të zgjaste pa u ndaluar për gati 10 vjet, duke shkaktuar mijëra viktima sociale, i vë një pikëpyetje të madhe gjithë sistemit gjyqësor dhe shtetëror.
Përse priti kaq gjatë? A do mbajnë funksionarë shtetërorë përgjegjësi?
Edvin Kondili, rivali i Altin Dumanit për drejtimin e SPAK, ka në sirtar çështjen më sensitive të dekadës së fundit për gjithë opinionin publik. Ai ka në duar fatin e një organizate kriminale prej dhjetëra anëtarësh, që deri sot ka vetëm një të dënuar me “vetëvrasje”, një të “vetëdorëzuar” dhe dy të izoluar në burgun 313 sa për sy e faqe. Me dhjetra ekzekutues të mashtrimit më të madh publik të 30 viteve të fundit u lane të lirë nga shpërthimi i skandalit.
“Shtrigat” që masakruan mijëra njerëz nëpër sportelet e MCA dhe telefonatat kriminale që u bënin viktimave të tyre, për vite me radhë, nuk janë prekur nga hetuesit edhe pse janë përfshirë rëndë në krim. Kërkohet alibia “Olsi Ibro”, sikur ai i bëri të gjitha që askush mos mbajë përgjegjësi si zbatues urdhrash.
Fije të ndërthurura pushteti dhe interesash nga të gjitha krahët e mbajtën hetimin të “mbytur” për shumë vjet. Duke lexuar email-et me shumë emra të implikuar dhe duke dëgjuar dëshmitë e atyre që kanë qenë “atje” dhe që pretendojnë se shumë fajtorë nuk janë prekur nga hetimi i stërgjatë i Prokurorisë Tiranë, sytë të shkojnë te “Stacioni” i fundit SPAK, bashkë me prokurorin që donte ta shihte veten si kreun e tij. /prapaskena
Dalin e-mailet e bandës së mikrokredive, ‘shtrigat’ e vogla të MCA, cili ishte roli i Ana Marku, Orjola Karaj , Erjona Qerkezi , Ivana Shahini , Esmeralda Lleshi , Kejda Beshiri