kuvend

Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet e miratuara nga deputeti Blendi Klosi për shtyrjen e afatit për pagimin e tatimit për të ardhurat edhe për dy vite të tjera për hotelet me 4 dhe 5 yje.

Nga socialistët kanë abstenuar deputetët Petro Koçi dhe Pandeli Majko ndërsa opozita ishte kundër.

“Nga që s’kishte asnjë brand Shqipëria në 2019, sot në Shqipëri ka 22 struktura të cilat janë funksionale dhe do të jenë funksionale edhe në vazhdim”, tha Klosi.

Deputetja e Partisë Demokratik Dhurata Çupi tha se ligji është me efekt të pastër elektoral. “Unë ju kërkoj që ta tërhiqni këtë projektligj. Mos e përdorni në muajt e fundit të zgjedhjeve për tu futur në lista e mbyllura apo në listat e pëlqyeshmërisë së Edi Ramës”, u shpreh Çupi.

“Se besoj që e kam bërë për t’u futur në lista, por vij krenar që kur kam qenë në detyrën e ministrit kam pasur mundësi të hartoja këtë politikë dhe e kam firmosur këtë politikë”, tha ndër të tjera Klosi.

Prej vitit 2019, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka dhënë statusin special të investitorit në struktura akomoduese me pesë yje një grupi biznesmenësh të afërt me të. Këto kompani përfitojnë një sërë lehtësirash të tjera fiskale si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës si dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH në masën 6%.

Po ashtu komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi shtyrjen e afatit për marrjen e statusit investitor strategjik deri më 31 Dhjetor 2026. /gazetajone