
Partia Demokratike nuk do të ketë koalicionin më të madh që ka realizuar ndonjëherë para zgjedhjeve, megjithatë ka arritur që të fusë në një listë jo pak por gjysmën e partive që do të marrin pjesë në 11 Maj.
Në limitet kohore, rreth 20 minuta para skadimit të afatit të vendosur nga KQZ, demokratët kanë marrë edhe firmën e fundit në dokumentin prej 34 faqesh të dorëzuar pranë zyrës së Ilirjan Celibashit: atë të Shpëti Idrizit.
Emri i koalicionit do të jetë “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në ndryshim nga emërtimi “Aleanca për Ndryshim” në 2021 dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në 2013.
Koalicioni përmban 26 parti dhe drejtues i saj do të jetë Sali Berisha.
“Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti pjesë e koalicionit, do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve, sipas formatit të fletës së votimit të përcakuar nga KQZ në këto zgjedhje. Në listën shumëemërore të koalicionit do të përfshihen, për çdo parti të Koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale dhe negociatat e zhvilluara nga secila parti”, thuhet në marrëveshjen e depozituar në KQZ.
Partitë përbërëse të koalicionit
PD- Sali Berisha
PL – Ilir Metaj
PR- Fatmir Mediu
PDK- Nard Ndoka
PBDNJ- Vangjel Dule
PAA- Agron Duka
PKKA- Kujtim Gjuzi
PESH- Kostaq Papa
PAAK- Gjet Ndoj
PAEE- Sazan Guri
PAK- Gjovalin Shqalsi
PLDN- Nikolin Staka
PLL- Sokol Axhami
PBDSH- Ylber Valteri
POSH- Zef Shtjefni
PLDSH- Mhill Gecaj
PKDSH- Dhimitër Muslia
FRD- Sali Shehu
PBLD- Arjan Starova
PBK- Adriatik Alimadhi
PBKD- Artur Roshi
PBPPSH- Selami Jenisheri
PEISH- Rivelino Cuno
PRVSH- Muharem Doda
PAMIE- Vasil Sterjovski
PDIU- Shpëtim Idrizi
Sa deputetë u fal PD aleatëve në listat e sigurta?
Sipas marrëveshjes PD u jep aleatëve 8 deputetë në listat e sigurta: 4 për Partinë e Lirisë të Ilir Metës. Burime të sigurta nga opozita për Shqiptarja.com bëjnë me dije se sipas dakordësisë së arritur me PD-në, në listë të sigurtë nga Partia e Lirisë do të jenë Ilir Meta, Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto dhe Erisa Xhixho. Ndërkohë 1 deputet në listë të sigurtë do ta ketë PR-në e Fatmir Mediut, 1 për PBDNJ e Vangjel Dules dhe 1 për PDIU e Shpëtim Idrizit.
Sipas marrëveshjes numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti pjesë e Koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve, sipas formatit të fletës së votimit të përcaktuar nga KQZ për këto zgjedhje.
Në listën shumëemërore të koalicionit do të përfshihen, për çdo parti të Koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale dhe negociatat e zhvilluara nga secila parti.
Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të Koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësive partiake’ thuhet në marrëveshje.
Gjithashtu saktësohet se çdo mosmarrëveshje midis palëve që mund të lind nga kjo marrëveshje, do të zgjidhet përmes bisedimeve dhe negociatave konstruktive.