
Nënë Liza, gruaja që u bë simbol i rezistencës së banorëve të lagjes ‘5 Maji’ në Tiranë për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga shembja, ka dhënë një intervistë ku ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ajo nuk nguron ta shprehë gëzimin për këtë lajm, dhe thotë se kur e mori vesh, u lehtësua nga një sëmundje që po kalon. Nënë Liza thotë se Veliaj nuk ka pse t’i vijë keq për gruan dhe fëmijën e tij, pasi i ka mirë në shtëpi, dhe jo si fëmijët e saj që prej tre vitesh nuk kanë një banesë.
“Jam shumë e gëzuar për Erionin, por duhet të kapen edhe më. Unë isha e shtrirë dje, e sëmurë, sa e dëgjova e di si jam ngritur, mu duk sikur më iku sëmundja.
Ne na ka quajtur si punë bagëtish, kam ndërruar vend tre herë me qira, nuk di ku kam rrobat. Ai doli e tha: Më vjen keq për djalin, për nënën, për gruan, që kam rënë në burg.
Edhe neve na vjen keq për fëmijët që i kemi rrugëve, e si kemi pritur dot në shtëpi për vit të ri e Krishtlindje, edhe kur kanë ardhur kemi shkuar derë më derë nëpër miq.
Në janar u bënë tre vjet që kur ma shembën shtëpinë. Me Erionin mbrapsht ka qenë, të vijë të të shembi shtëpinë me 1 500 policë, e të të nxjerrë jashtë me gra e fëmijë në pikë të dimrit… ai s’ka pse qan vetë se i ka në shtëpi”, tha ajo.