edi rama

Nga Gazeta Jonë

Kryeministri Rama ka bërë një ndarje të qartë mes atyre që sulmojnë SPAK dhe atyre që e mbrojnë duke futur veten e tij dhe socialistët në grupin e dytë. Rama bëri prapaktheu në sulmet ndaj SPAK pasi pa sondazhet ku shqiptarët mbështetën masivisht punën e këtij institucioni.

Nisur nga kjo, Rama e bëri të qartë edhe ndaj deputetëve se kush sulmonte SPAK fillimisht duhej të hiqte dorë nga mandati i deputetit. I pari që u “sakrifikua” nga kjo lëvizje taktike e Ramës ishte pikërisht Etjen Xhafaj, i cili kritikoi SPAK në një studio televizive duke mos ditur se shefi kishte ndërruar mendje pasi bashkëpunëtorët i kishin hedhur në tavolinë të dhënat e sondazheve ku pasqyrohej një rënie e pëlqyeshmërisë ndaj tij pasi ai nisi të sulmonte SPAK-un kur u arrestua Veliaj.

Megjithatë, edhe duke mos sulmuar SPAK-un, Rama e ka një mundësi për të shpëtuar Veliajn nga burgu nëse Apeli nesër e lë në qeli dhe burime të Gazeta Jonë bëjnë me dije se ky opsion është duke u diskutuar nëpër korridoret e PS nga dita e djeshme.

Skenari i guximshëm lidhet me futjen e Erion Veliajt në listën e mbyllur të kandidatëve të PS për Tiranën duke i dhënë atij automatikisht mandatin në zgjedhjet e 11 majit, gjë që do të rihapte lojën për nxjerrjen nga burgu. Në këtë mënyrë, SPAK do të duhej të riniste procedurën për arrestimin nëse do të ketë prova të reja, ndërsa për Veliajn niste procedura për daljen nga qelia pasi të merrte mandatin.

Është i njëjti skenar që po bën Berisha me Ilir Metën.

Por, ndryshe nga Meta, që Rama të fusë Veliajn në listën e Tiranës, ai duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i kryeqytetit, ç’ka do të thoshte automatikisht zgjedhje të parakohshme për bashkinë.

A do të jetë gati Rama të marrë përsipër të vejë në diskutim sërish Tiranën mes skandalesh dhe një kryebashkiaku të arrestuar për korrupsion, ndërkohë që skema 5D që siguronte vota me shumicë nuk funksionon më?

Ky është një risk që vetëm Rama mund ta marrë përsipër.

Por, ky është vetëm dimensioni legal, ndërsa me manovrën e mësipërme, Rama duhet të bëjë llogaritë edhe sa i përket devizës politike dhe morale të tij me Reformën në Drejtësi.

Nëse Veliaj nxirret nga burgu me manovra të tilla, atëherë edhe pse jo me zërin e tij, Rama i ka thënë “fu*k you” Reformës në Drejtësi.

Prandaj, siç ka raportuar më herët Gazeta Jonë, krahas këtij opsioni, prandaj Rama po luan edhe me opsionin e zëvendësimit të votave të Veliajt me kandidatët e Tom Doshit në Tiranë. /gazetajonë