
Gazetarja Enkelejda Mema, analizoi situatën aktuale në kampin rozë dhe zhvillimet rreth listave për deputetë të Partisë Socialiste, në emisionin “NOW me Erla Mehillin”.
Sipas saj, merzitja e deputetëve socialistë u shfaq në mënyrë të dukshme, pasi një pjesë e tyre bojkotuan seancën parlamentare të ditës së sotme.
“Sot në Parlament, mesa duket, fjalimi i Edi Ramës në grupin parlamentar i kishte dhënë efektet e para. Mungonin shumë deputetë socialistë, ku duket sikur kishin bërë një lloj bojkoti dhe më duket se merzitja nuk u kishte dalë deri në mbrëmje. Këta deputetë të merzitur besohet se janë ata që janë në listën e hapur dhe rrezikojnë shumë që të mos arrijnë të fitojnë karrigen e deputetit”, tha Mema.
Gazetarja Mema përmendi edhe disa emra deputetësh të rrezikuar për të humbur mandatet e tyre në zgjedhjet e 11 majit, përfshirë Damian Gjiknurin, Nasip Nacon dhe Olta Xhaçkën. Ajo sqaroi se disa nga këta emra janë në qarqe të vogla, ku konkurenca është e fortë, veçanërisht në listat e hapura.
“Edi Rama nuk i ka përcaktuar ende qarkun Damian Gjiknurit. Gjiknuri ende nuk dihet ku do të kandidojë, dhe në varësi të qarkut që Rama do të vendosë për të, mund të ketë mundësi më të vogla për t’u futur në listën e hapur. Nëse e kandidon në një qark të vogël, mundësia që ai të jetë në listën e hapur është shumë më e vogël, kështu që Gjiknuri rrezikon shumë që të mos jetë më deputet i PS-së”, theksoi ajo.
Një tjetër deputet që është në rrezik, sipas gazetares, është Nasip Naco, i cili ka një pozicion të pasigurt në qarkun e Beratit, ku vetëm dy deputetë janë në listë të sigurt dhe tre të tjerë janë në listën e hapur, duke e bërë garën shumë të fortë. Po ashtu, Mema përmendi se në qarkun e Elbasanit, ku janë tre mundësi për deputetë në listën e hapur, mund të ketë lëvizje dhe emra të rrezikuar.
Përfundimisht, Mema përmendi se edhe Olta Xhaçka, një emër i njohur, mund të jetë në listën e hapur të Tiranës dhe për këtë arsye, mund të jetë në rrezik për të humbur mandatin.
“Mund të ketë një emër të rrezikuar në Tiranë, dhe ai mund të jetë Olta Xhaçka, e cila pritet të jetë në listën e hapur dhe ka shumë mundësi të rrezikojë mandatin”, tha gazetarja./gazetajonë